Nga Redaksia:
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) ka ripublikuar disa udhëzime mbi abortin – të publikuara fillimisht në vitin 2022 – në të cilat sulmon të drejtën për kundërshtimin e ndërgjegjes, të cilës i referohen shumë mjekë për të mos kryer aborte, pasi aborti bie ndesh me ndërgjegjen e tyre. Dhe s’është për t’u habitur, sepse për ta, vrasja e një foshnje në barkun e nënës nuk duket aspak etike…
Por OBSh-ja e Tedros Adhanom-it nuk duket se e vlerëson shumë këtë të drejtë universale të kundërshtimit të ndërgjegjes, duke këmbëngulur se “aksesit dhe vazhdimësisë së kujdesit të plotë për abortin duhet t’i garantohet mbrojtje ndaj pengesave të krijuara nga kundërshtimi i ndërgjegjes”, duke argumentuar se “kundërshtimi i ndërgjegjes në ofrimin e shërbimeve të abortit mund të jetë i pambrojtshëm”, nëse nuk mund të rregullohet në mënyrë që “të respektojë, mbrojë dhe garantojë të drejtat e atyre që kërkojnë abortin”, sipas raportit të C-Fam.
Për këtë arsye, OBSh u bën thirrje qeverive të “rregullojnë” – domethënë, të kufizojnë, ndalojnë, frenojnë apo eliminojnë – kundërshtimin e ndërgjegjes.
Këtë pikërisht ka propozuar së fundmi në Spanjë Ministria e Barazisë, e drejtuar nga ministrja komuniste Ana Redondo, në rastin e abortit.
Megjithatë, vlen të kujtohet se kundërshtimi i ndërgjegjes është i garantuar në nenin 18 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut:
“Çdo person ka të drejtë për lirinë e mendimit, të ndërgjegjes dhe të fesë; kjo e drejtë përfshin lirinë për të ndryshuar fenë ose bindjen, si dhe lirinë për ta shfaqur fenë ose bindjen, individualisht apo kolektivisht, në publik ose në privat, nëpërmjet mësimdhënies, praktikës, adhurimit dhe zbatimit.”
Gjithashtu, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) e ka njohur këtë të drejtë si një shprehje të lirisë së mendimit, ndërgjegjes dhe fesë, sipas nenit 9 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Por më mirë se kushdo tjetër këtë e shpjegojnë vetë mjekët, si p.sh. Manuel Martínez Sellés, president i Këshillit të Mjekëve të Madridit, i cili që në vitin 2021 ka mbrojtur të drejtën e kundërshtimit të ndërgjegjes:
“Kundërshtimi i ndërgjegjes është një e drejtë themelore e njohur ndërkombëtarisht, për shembull në Kartën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, dhe është gjithashtu e garantuar nga Kushtetuta jonë. Është një e drejtë që nuk ka nevojë për rregullim – këtë e ka thënë disa herë edhe Gjykata Kushtetuese. Është garancia që mjekësia të ushtrohet në mënyrë të pavarur dhe të lirë.”
“Çdo përpjekje për ta kufizuar ose ‘rregulluar’ bie ndesh me kodin deontologjik të mjekëve në Spanjë, i cili në nenin 32 njeh të drejtën për kundërshtim të ndërgjegjes. Kjo është thelbësore për të garantuar lirinë dhe pavarësinë profesionale të mjekëve. Deklaratat e ministres janë shumë shqetësuese, sepse tregojnë qartë një qëllim për të kufizuar këtë e drejtë.” / Hispanidad
Ky material është pronë e Patriotikmedia.al dhe është i mbrojtur nga ligjet për të drejtën e autorit. Ndalohet riprodhimi, apo publikimi i plotë apo i pjesshëm i këtij materiali pa lejen e shkruar paraprakisht nga redaksia. Shkelësit do të përballen me pasojat ligjore sipas legjislacionit në fuqi.