Mbretëria e Bashkuar prezanton kartën e parë digjitale të identitetit – Hap drejt modernizimit apo kontrollit total?

Nga Redaksia:

Kryeministri britanik, Keir Starmer, njoftoi nisjen e kartës së parë digjitale të identitetit në historinë e Mbretërisë së Bashkuar. Dokumenti do të jetë falas, por i detyrueshëm për këdo që kërkon të punësohet ose të marrë me qira një banesë.

Sipas qeverisë, masa ka si synim të vështirësojë punësimin dhe qëndrimin e emigrantëve pa dokumente, ndërsa për qytetarët britanikë dhe rezidentët ligjorë do të shërbejë për të lehtësuar aksesin në shërbime bazë dhe për të rritur sigurinë kufitare.

“Duam një Britani më të drejtë, të ndërtuar mbi ndryshimin dhe jo mbi përçarjen”, deklaroi Starmer, duke pranuar hapur shqetësimet e opinionit publik për nivelet e larta të emigracionit ilegal.

Ky njoftim u bë gjatë Global Progress Action Summit, ku Starmer ndau skenën me liderët e Kanadasë, Australisë dhe Islandës. Ai pranoi se partitë e qendrës së majtë kanë qenë “të buta” në trajtimin e çështjes së emigracionit, duke lënë hapësirë për rritjen e forcave “populiste” si Reform UK, të cilën e cilësoi si rivalin kryesor në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2029.

Si do të funksionojë karta digjitale

Karta e identitetit do të ruhet në telefonat celularë dhe do të jetë e domosdoshme për t’u punësuar. Në një fazë të dytë, qeveria synon ta zgjerojë përdorimin e saj edhe për përfitime sociale, kujdesin për fëmijët dhe regjistrat fiskalë, duke krijuar një sistem të plotë kontrolli dhe menaxhimi shtetëror.

Megjithatë, projekti ka ndezur debate të ashpra. Reform UK e quajti masën “të pafajshme dhe të padobishme”, duke argumentuar se ata që punojnë tashmë në të zezë nuk do të preken. Po ashtu, u ngritën shqetësime serioze për privatësinë e të dhënave personale. Një sondazh i Ipsos tregoi se, ndonëse 57% e britanikëve mbështesin një formë identiteti kombëtar, rreth 30% frikësohen nga keqpërdorimi i informacionit apo shitja e të dhënave.

Historikisht, Britania ka pasur eksperienca të dështuara me këto sisteme: kartat e identitetit u hoqën pas Luftës së Dytë Botërore, ndërsa një projekt i ngjashëm laburist në vitet 2000 dështoi për shkak të kundërshtimeve mbi liritë civile.

Kundërshtime të forta erdhën edhe nga Irlanda e Veriut. Kryeministrja Michelle O’Neill e quajti nismën “absurde dhe të menduar keq”, duke kujtuar se shumë qytetarë atje kanë pasaporta irlandeze dhe e refuzojnë çdo simbol të autoritetit britanik.

Nga modernizimi tek modeli i kontrollit kinez?

Nisma e Starmerit ka ringjallur krahasime me sistemin e kreditit social të Kinës, ku teknologjitë e njohjes së fytyrës dhe inteligjencës artificiale përdoren për të survejuar e ndëshkuar qytetarët, duke kufizuar liritë e tyre.

Në një skenar të ngjashëm, një individ mund të humbasë të drejtën për të udhëtuar, për të marrë shërbime bazë apo për t’u punësuar, thjesht pse renditet në një “listë të zezë” shtetërore.

Tendenca të ngjashme shihen edhe në Kanada, ku programi “Ambicion Digital” synon të digjitalizojë të gjitha shërbimet shtetërore në një platformë të vetme të bazuar në cloud dhe inteligjencë artificiale.

Kritikët paralajmërojnë se, nëse këto sisteme zbatohen gjerësisht në Perëndim, qeveritë do të kenë mundësinë të monitorojnë çdo aspekt të jetës së qytetarëve – nga ushqimi e blerjet, deri tek miqësitë, besimet fetare apo medikamentet që përdorin.

Pyetja që mbetet është thelbësore:
A është kjo një hap drejt modernizimit dhe efikasitetit, apo hyrja e heshtur në një epokë të kontrollit totalitar të ngjashëm me regjimet autoritare?

Ky material është pronë e Patriotikmedia.al dhe është i mbrojtur nga ligjet për të drejtën e autorit. Ndalohet riprodhimi, apo publikimi i plotë apo i pjesshëm i këtij materiali pa lejen e shkruar paraprakisht nga redaksia. Shkelësit do të përballen me pasojat ligjore sipas legjislacionit në fuqi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *