Nga Redaksia:
Kryeministri Edi Rama, në prag të mandatit të tij të katërt, ka prezantuar një “risi” që ai e shet si revolucion kundër korrupsionit: një ministre virtuale e quajtur Diella, e krijuar nga inteligjenca artificiale. Sipas Ramës, kjo ministre e padukshme do të menaxhojë dhe shpërndajë të gjitha tenderët publikë të Shqipërisë, për t’i bërë ata “100% të lirë nga korrupsioni”.
Por në një vend ku korrupsioni është bërë mënyrë jetese e qeverisë dhe ku tenderët publikë kanë qenë gjithmonë burimi më i madh i aferave, prezantimi i një “boti digjital” duket më shumë si një show mediatik për të mashtruar shqiptarët dhe Brukselin. Rama e di se korrupsioni nuk është tek dokumenti apo kompjuteri, por tek pushteti që manipulon sistemin.

Shqipëria është përmendur prej kohësh si një qendër e pastrimit të parave të krimit ndërkombëtar, nga trafiku i drogës e deri tek armët. Të gjitha këto rrjete kanë arritur deri në zyrat më të larta të shtetit, duke ndotur imazhin e vendit tonë dhe duke bllokuar procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Rama premton anëtarësimin deri në vitin 2030, por analistët e cilësojnë këtë thjesht një ëndërr propagandistike.
Në vend që të japë llogari për aferat e tenderëve të shkuar, kryeministri prezanton një “ministri fantazmë” – një figurë virtuale me kostum popullor shqiptar – për të krijuar iluzionin e transparencës. Por populli nuk është naiv: reagimet e qytetarëve e shprehin qartë mosbesimin. “Edhe Diella do të korruptohet në Shqipëri”, shkruan një komentues. Një tjetër shton me ironi: “Vjedhja do të vazhdojë dhe faji do t’i lihet Diellës.”
Ndiqni ironizimin e mediave për ministren e Ramës pa protofol Diella:
Shqipëria nuk ka nevojë për ministra virtualë të Ramës, por për drejtësi reale, për institucione të pavarura dhe për ndëshkimin e atyre që kanë vjedhur e shkatërruar vendin për dekada. Asnjë inteligjencë artificiale nuk mund të zëvendësojë vullnetin politik për të çrrënjosur korrupsionin. Dhe këtë Rama nuk e ka pasur, nuk e ka dhe nuk do ta ketë kurrë. /Reuters
Ky material është pronë e Patriotikmedia.al dhe është i mbrojtur nga ligjet për të drejtën e autorit. Ndalohet riprodhimi, apo publikimi i plotë apo i pjesshëm i këtij materiali pa lejen e shkruar paraprakisht nga redaksia. Shkelësit do të përballen me pasojat ligjore sipas legjislacionit në fuqi.