ANALIZA: Maqedonia – Shtet pa themele …

Nga Dr. Adil Mustafa:

Duke marrë shkas nga një shkrim interesant të publicistit dhe politikanit Ben Blushi, dua ta zgjeroj tezën e tij për Maqedoninë.
Dy ditë më parë ai e cilësoi këtë vend si një “Republikë plastike”, duke sjellë argumentet e veta. Edhe unë pajtohem me këtë konstatim: Maqedonia është dhe vazhdon të mbetet e tillë për aq kohë sa nuk ndërton një shtet funksional, të vërtetë multietnik.

Ky shtet është artificial që në krijim, dhe as sot nuk funksionon si i tillë. Në ndryshim nga shtetet e tjera – të vogla apo të mëdha – pozita e saj gjeografike, konfliktet e pazgjidhura historike me fqinjët dhe mungesa e themeleve të brendshme e bëjnë atë një shtet të brishtë, plastik, që fryhet dhe shfryhet sipas rrethanave, si një tullumbace.

Nëse elitat maqedonase që nga fillimi do të kishin qenë të përgjegjshme për fatin historik të vendit të tyre, do të kishin zgjedhur një model funksional, siç është rasti i Zvicrës. Pra, një unitet i brendshëm mbi bazën e dy shtyllave shtetformuese: shqiptaro–maqedonase. Por, fatkeqësisht, kjo nuk ndodhi.

Elitat maqedonase sollën modelin serb, duke përjashtuar dhe injoruar shqiptarët – edhe pse shqiptarët përbëjnë forcën reale demografike, politike, ekonomike, kulturore e historike të këtij shteti. Kjo ka sjellë një realitet absurd: një shtet pa çati, pa derë e pa dritare, ku furtunat hyjnë nga çdo anë.

Ben Blushi me të drejtë e përshkruan Maqedoninë e Veriut si një vend-sanduic mes Greqisë, Bullgarisë, Shqipërisë dhe Serbisë, që merr gjithmonë formën e atij që e shtrëngon nga jashtë. Për këtë arsye, ky shtet herë ndryshon emrin, herë kushtetutën, dhe nesër mund të humbasë edhe territore.

Por problemi më i madh nuk vjen vetëm nga jashtë. Sëmundja është brenda: klasa politike maqedonase, e cila nuk pranon ende të ndërgjegjësohet se një shtet nuk mund të funksionojë mbi model etnocentrik.

Prandaj, përveç përshkrimit si “Republikë plastike”, unë do të shtoja: Maqedonia është një shtet pa themele.

Ka një gjuhë të kontestuar (nga bullgarët), një kishë të kontestuar (nga serbët), një emër të kontestuar (nga grekët), një territor të kontestuar etnikisht (nga shqiptarët). Këta elementë mjaftojnë për ta përshkruar si një shtet artificial dhe jofunksional.

Nëse Maqedonia do të kishte ndërtuar një model realisht multietnik, me drejtësi, barazi dhe bashkëpunim mes komuniteteve, sot do të ishte shembull për shumë shtete të tjera. Por realiteti është i kundërt: që nga krijimi, ky vend ka qenë vatër krizash dhe sot mbetet një shtet që jeton mbi rërë, pa themele të qëndrueshme.

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

More From Author

Edward Dowd paralajmëron: Kriza e re financiare dhe rreziku i “parave dixhitale” – Rama në shërbim të axhendës globale …

OSBE dhe Celibashi, pa “vulë” mbi 11 Majin – Pse fshihet rezultati përfundimtar?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *