20 Aug 2025, Wed

Ilir Demaliaj: Biri i një Sistemi që nuk lahet me fjalën “Demokrat”…

Nga Gjergj Yllneshaj:

Ilir Demaliaj shfaqet sot si një kritik i ashpër i politikës shqiptare dhe e prezanton shpesh veten si “bir i një të përndjekuri politik”, duke përdorur burgosjen e të atit, Binak Demaliaj, si dëshmi të moralit të tij politik. Por faktet historike tregojnë një realitet shumë më kompleks, larg imazhit të një trashëgimie të pastër demokratike.

Kush ishte Binak Demaliaj?

Binak Haxhia Demaliaj, i njohur edhe si Binak Paci, ka shërbyer për vite të tëra në Sigurimin e Shtetit, strukturën famëkeqe të diktaturës që përndiqte, burgoste dhe shkatërronte jetë njerëzish.

Deri në vitin 1970, ai ishte aktiv në këto struktura. Vetëm atëherë u largua, me motivacionin “dobësi në punë” dhe probleme shëndetësore.

Por largimi nuk do të thoshte shkëputje nga regjimi: Binaku u emërua shef protokolli në Ministrinë e Tregtisë së Jashtme, duke mbetur pjesë e aparatit shtetëror komunist.

Arrestimi dhe akuzat

Në vitin 1975, kur vala e spastrimeve politike përfshiu edhe funksionarë të lartë të Partisë së Punës, Binak Demaliaj u arrestua.

Akuza zyrtare: “agjitacion dhe propagandë armiqësore” — një akuzë standarde që regjimi përdorte edhe ndaj kuadrove të vet, sa herë që këta bëheshin viktimë e lojërave të brendshme të pushtetit.

Pas disa vitesh, ai u riabilitua dhe madje u rikthye në radhët e Partisë. Një fakt që tregon qartë se nuk ishte disident i vërtetë, por pjesë e mekanizmit të frikës e rivalitetit të brendshëm.

Trashëgimia e vërtetë

Historia e Binak Demaliajt tregon disa të vërteta të pakundërshtueshme:

Ai shërbeu me vite në organet më represive të diktaturës.

U arrestua jo sepse ishte demokrat, por sepse ra në kurthin e rivaliteteve të brendshme të Partisë.

U rikthye më pas në sistem, çka tregon se nuk ishte armik real i regjimit.

Pra, ai nuk ishte as i përndjekur politik, as viktimë e vërtetë e komunizmit, por thjesht një funksionar i radhës i konsumuar nga vetë sistemi që i shërbeu.

Mesazhi për Ilir Demaliajn

Arrestimi i babait nuk e bën automatikisht Ilir Demalian një demokrat. Përvoja e Binakut dëshmon se jo çdo viktimë e vonuar e komunizmit është simbol i lirisë. Shumë kuadro të Partisë që u pushkatuan apo u burgosën në vitet ’70, deri në momentin e fundit brohorisnin: “Rroftë Partia, rroftë Enveri!”, edhe pse ishin viktimat e saj.

Ky është absurdi i atij sistemi: viktima që nuk pushonin së qeni shërbëtorë të ideologjisë që i shkatërroi.

Prandaj, kur Ilir Demalia sot mban leksione për demokraci duke përdorur burgun e babait si argument moral, duhet kujtuar një gjë: të qenit i goditur nga sistemi nuk të shlyen përgjegjësinë si pjesë e tij. Nëse ke shërbyer në Sigurim, në aparat, je pjesë e fajit historik që komunizmi i bëri shqiptarëve.

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *