Nga Redi Minga:
Kur mendojmë se ndoshta Evropa po zgjohet nga gjumi i saj i gjatë diplomatik dhe do të hedhë ndonjë hap për paqe, befas na vjen një tjetër deklaratë “paqtare” që do të bënte edhe George Orwell-in të buzëqeshte me sarkazëm.
Të ashtuquajturat “fuqi të vullnetshme” (Coalition of the Willing), të mbledhura nën kujdesin e Keir Starmer dhe Emmanuel Macron, na njoftojnë me solemnitet se janë gati të dërgojnë “forca sigurie” në Ukrainë… pasi të mbarojë lufta. Ironia është se këto “forca sigurie” nuk janë aspak për paqe, por për të forcuar ushtrinë ukrainase dhe për ta mbajtur luftën gjallë, vetëm me emër tjetër.
Në dokumentin e zyrës së Kryeministrit britanik, thuhet qartë se këto trupa shumëkombëshe do të “sigurojnë qiellin dhe detin e Ukrainës” dhe do të “rigjenerojnë forcat e armatosura ukrainase”. Pra, përkthyer në shqip: lufta do të rifreskohet, vetëm se me një emër më të bukur.
Ironia më e madhe është se vetëm disa ditë më parë, më 13 gusht, kjo “koalicion i vullnetshëm” deklaronte se çdo bisedë paqeje mund të ndodhte vetëm nëse kishte armëpushim. Sot fjala “armëpushim” është zhdukur si me magji nga fjalori i tyre. Sepse, si duket, armëpushimi është shumë i rrezikshëm për industrinë e armëve dhe për karrierat politike që ushqehen me gjakun e ukrainasve.
Ndërkohë, Presidenti Trump po i shtyn drejt një marrëveshjeje paqeje reale, duke theksuar se një marrëveshje e qëndrueshme është më e fortë se një armëpushim i përkohshëm që pritet të shkelet nesër. Ai madje paralajmëron mundësinë e një samiti trepalësh me Putin dhe Zelenskyn më 22 gusht. Dhe çfarë bën Evropa? Qesh, bën plane për “forca sigurie” dhe e mban gjallë narrativën e luftës.
Pra, në vend që të brohoritet për paqe, në Bruksel e në Paris duket se është më fitimprurëse të brohoritet: “Luftë, sa më shumë luftë!” – sepse paqeja nuk sjell as kontrata armësh, as karriera politike.
Evropa po luan rolin e priftit në dasmën e një martese të detyruar: Trump përpiqet të ulë palët në tryezë, ndërsa Macron e Starmer tundin kurorën e armëve mbi kokat e ukrainasve.
Në fund, e vetmja pyetje që mbetet është: Kujt i duhet më shumë kjo luftë – Ukrainës apo Europës Sorosiane?
Ky material është pronë e Patriotikmedia.al dhe është i mbrojtur nga ligjet për të drejtën e autorit. Ndalohet riprodhimi, apo publikimi i plotë apo i pjesshëm i këtij materiali pa lejen e shkruar paraprakisht nga redaksia. Shkelësit do të përballen me pasojat ligjore sipas legjislacionit në fuqi.