16 Aug 2025, Sat

OPINION: Kur kapërcehen etapa e zhvillimit ndodh…!

Nga Fatmir Merkoçi:

Është e natyrshme që antagonizmat ndërmjet sistemeve, apo edhe ndërmjet klasave, janë të pashmangshme. Forca e njërës përmbys tjetrën. Që ndryshimet të jenë reale, të jenë natyrale, kalimet nga një sistem në tjetrin më së pari vinë nga ndryshimi i mentalitetit të njeriut.

Në vendet ku nuk ka klasë puntore e fshatari, ndryshimi i sistemit vjen në mënyrë anarshike.

Shqipëria pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore ishte një vend gjysmëfeudal. Kalimi nga ky sistem në sistemin socialist solli urrejtje karshi shtresës së përmbysur. Dhuna ishte parësore. Dhe kjo dhunë fillimisht u kristalizua në male, ku pjesa më e madhe e partizanëve ishte e rinj, të pashkolluar, me mentalitet shtypës.

Kjo bëri që propaganda komuniste të përkrahej me verbëri absolute. Duke qenë një moshë e re dominuese, ishte më e lehtë të përpunohej. Ky kapërcim sistemesh prodhoi Njeriun e Ri.

Sot ne jemi në të njëjtën situatë. Ndryshuam emrin, por jo sistemin. Politikanët dhe shtetarët e urrejnë fjalën “kapitalizëm”, ndaj në 35 vjet nuk e përmendin në asnjë çast. Ata deklarojnë vetëm “ekonomi tregu”, “demokraci e brishtë”, “tranzicion”.

Sistemi komunisto-socialist zhvilloi luftën e klasave, diktaturën e proletariatit, dhe zhveshi njeriun nga prona, nga nacionalizmi, nga feja. Çdo gjë e dinte dhe e rregullonte vetëm “dora e Partisë”.

I njëjti mentalitet vazhdon edhe sot. Njeriu nuk ka ndjenjën e pronës; e sheh atë si mjet përfitimi, e jo si gjë të shenjtë. Duke mos pasur ndjenjën e nacionalizmit, ata e kanë më të lehtë të ikin se të qëndrojnë në tokën e tyre, në pronën e tyre. Mentaliteti për shtresën e përmbysur nga komunizmi vazhdon të jetë i njëjtë si para 82 vjetësh. Pra, ne quhemi reaksionarë, kulakë, etj.

Kulti i individit nuk ndryshoi, por u zhvillua në të njëjtën formë. Degjenerimi u shit si zhvillim dhe modernizim. U shthur familja. Besimi në Zot nuk u rikthye edhe pse feja u lejua, pasi Njeriu i Ri u rrit, u arsimua dhe u edukua me frymën e Partisë. Pra përsëri, mentaliteti i Partisë-Shtet.

Lufta në këtë tranzicion u zhvillua ndaj të djathtës konservatore, duke e quajtur atë “gjë arkaike”. Si pasojë, nuk u zhvillua ndjenja kombëtare; përkundrazi, ajo u degradua edhe më shumë.

Arsimi, kultura, gjuha shkuan drejt degradimit. Zhvillimi ekonomik në industri dhe bujqësi u rrënua totalisht. Sot jemi një vend që nuk prodhon asgjë. Askush nuk di të thotë nëse jemi vend bujqësor, industrial apo bujqësor-industrial. Ky është koncepti i një vendi të papërgatitur.

Sot Shqipëria është thyer në një vend-maternitet refugjatësh. Sistemi duket sikur ra, por realisht po ata, e pasardhësit e tyre, janë vazhduesit e këtij tranzicioni. Ata drejtojnë ekonominë dhe politikën.

Liria e fjalës në propagandë është e lirë, por në realitet nuk ekziston. Ajo komandohet nga vetë pushteti. Liria e njeriut është e kufizuar, pasi është e kufizuar nga vetë pushteti dhe politika. Partitë dhe shoqatat janë kthyer si kioskat e rrugës. Nuk kanë ideologji, dhe për pasojë nuk prodhojnë frymë tek populli.

Në këtë gjendje, tranzicioni do të ketë vetëm rregres, për sa kohë mungon e djathta konservatore. Do mungojë elita shqiptare, pasi vetëm e djathta jep alternativë, zgjidhje, ngre kauza dhe përcjell frymë. Por gjithashtu mban përgjegjësi për humbjet. Ka në funksion institucionin e forcës, duke ia lënë rrugën fraksioneve të tjera.

E djathta konservatore i ka dhënë provat e zhvillimit, pasi mbështetet në Zot, komb dhe familje. E majta mbetet konfliktuale, propagandistike, bën luftë brenda llojit. Çdo gjë e zgjodh vetëm me terror, krijon kulte dhe terror shtetëror.

Koha është e ndërgjegjes kombëtare. Lufta kundër të majtës mbetet detyrë e çdo shqiptari që ka gjak shqiptar dhe që përballet me të keqen, duke realizuar detyrimin karshi kombit. Ndryshe, do të bëhet edhe më keq.

Një shtëpi që nuk e pastron i zotëruar do të mbetet gjithmonë e pisët.
Kujdes spiunët.

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *