9 Aug 2025, Sat

Si del në pah fytyra e Vërtetë e Politikanëve të Korruptuar ….

Nga Redaksia:

Në një histori që të lë pa fjalë, që duket më shumë si një skenar filmi mafioz, por që fatkeqësisht është realitet, ku tregohet se si politika e korruptuar jo vetëm vjedh, por edhe manipulon, përdor dhe shkatërron jetë njerëzish për të fshehur gjurmët e saj kriminale.

Një politikan i fuqishëm, që për vite e vite me radhë kishte përfituar miliona euro përmes tenderave dhe aferave korruptive, përballë nevojës për të “pastruar” paratë, mendoi një skemë të paskrupullt: të përdorte një të ri shqiptar të dënuar në burgjet e Spanjës për grabitje bankash.

Djaloshi shqiptar, një mjeshtër i teknologjisë që kishte shkelur në rrugë të gabuar, ju ofrua një rrugëdalje nga burgu nga ky politikan, me kushtin e vetëm: të drejtonte një biznes fiktiv, që do të shërbente si mbulesë për qarkullimin e parave të pista. I riu e pranoi oferten. Politikanët dinë si të joshin – një jetë e re, një makinë e shtrenjtë, një apartament modern, luks dhe respekt që s’e kishte parë kurrë më parë. Por, ajo që nuk i tregoi askush, ishte fundi i parashkruar që do ta priste.

Vitet kaluan. Biznesi lulëzoi. I riu, me gjithë të kaluarën, tregoi se kishte aftësi të vërteta dhe arriti të ndërtojë një perandori tregtare. Ndërkohë, fëmijët e politikanit kishin përfunduar studimet në ekonomi dhe juridik, gati për të marrë frenat e pushtetit ekonomik që babai i tyre po përgatiste për ta.

Dhe pastaj erdhi momenti që gjithë skema të kthehej në favor të familjes së politikanit. Një telefonatë e vetme mjaftoi: “Nesër do shpallësh falimentin!” — tha politikani. “Por si, kur biznesi po ecën për mrekulli?”, pyeti i riu. “Këtu të solla unë, dhe do bësh ç’të them unë!” — ishte përgjigjja e prerë.

Të nesërmen, para mediave, djaloshi shpalli faliment të rremë, ndërkohë që të gjithë e dinin se kompania ishte një ndër më të fuqishmet në treg. Pas disa ditësh, fëmijët e politikanit u shfaqën si “shpëtimtarë”, duke marrë kredi dhe u bënë aksionerë, “për të ndihmuar mikun e tyre”.

Nuk kaloi dite dhe brenda pak javësh, djaloshi që e ngriti biznesin nga hiçi, u gjet i vdekur në një “aksident të dyshimtë”. Rasti u mbyll si tragjedi fatale. Por e vërteta dihet: ai ishte bërë pengesë në skemën e ndërtuar me kujdes nga politika dhe duhej të zhdukej.

Sot, biznesi vazhdon të funksionojë, i kontrolluar nga dy fëmijët e politikanit, ndërsa viktima që i ngriti themelin, prehet në heshtje, pa drejtësi, pa trashëgimi, pa të afërm që të kërkojnë të vërtetën.

Kjo është vetëm një histori mes mijëra të tjera që ndodhin në Shqipërinë e kapur nga një politikë kriminale, që nuk njeh më as ligj, as drejtësi, as moral. Politikanë që vjedhin miliona dhe i pasojnë te fëmijët e tyre si trashëgimi, ndërsa shqiptarët e ndershëm largohen nga vendi apo vdesin të harruar.

Në këtë histori nuk ka rëndësi vetëm emri i politikanit. Rëndësi ka sistemi që e prodhoi atë, dhe që mban gjallë të njëjtët aktorë prej 34 vitesh: nga Berisha te Rama, nga PD te PS. Të gjithë kanë ndërtuar perandoritë e tyre mbi gjakun dhe djersën e shqiptarëve.

Korrupsioni në Shqipëri nuk është më thjesht fenomen – është strukturë shtetërore e përhershme, e ndërtuar me lidhje mafioze, me drejtësi të kapur dhe me media të blera. Historia që sapo lexuat është një pasqyrë e pastër e sistemit të instaluar nga Berisha dhe të sofistikuar nga Rama.

Shqiptarët nuk kanë nevojë më për fjalë, por për revolucion moral, politik dhe kombëtar. Përndryshe, historia e djaloshit të përdorur dhe të vrarë do të përsëritet përherë – herë me emra të rinj, herë me metoda më të rafinuara, por me të njëjtin fund tragjik.

Ky material është pronë e Patriotikmedia.al dhe është i mbrojtur nga ligjet për të drejtën e autorit. Ndalohet riprodhimi, apo publikimi i plotë apo i pjesshëm i këtij materiali pa lejen e shkruar paraprakisht nga redaksia. Shkelësit do të përballen me pasojat ligjore sipas legjislacionit në fuqi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *