Nga Redi Minga:
Shqiptarët jetojnë sot një realitet që dikur nuk do ta kishin imagjinuar kurrë: një vend ku pozita dhe opozita janë bërë njësh në pjatën e pushtetit dhe privilegjeve, ndërsa populli rënkon nën peshën e varfërisë, emigrimit dhe shkatërrimit moral e institucional të vendit.
Në krye të këtij realiteti të zymtë qëndron Pilati i Shqipërisë, një figurë politike që i ka larë duart me sapunin e propagandës, ndërsa populli sakrifikohet çdo ditë në altarin e korrupsionit, arrogancës dhe marrëzisë shtetërore. Ai nuk merr përgjegjësi për asgjë. Ai bën sikur nuk dëgjon dhe nuk sheh, sepse ai është mbi popullin, mbi drejtësinë, mbi gjithçka.
Por më tronditëse është heshtja e opozitës. Dikur opozita ishte shpresë. Sot, kupola e saj është kthyer në një klub mediatik i fiksuar pas Yuri Kim, një diplomate amerikane që mund të ketë ikur, mund të mos jetë më as në DASH, por që për ta mbetet ende më e rëndësishme se halli i shqiptarëve. Çfarë vlere ka për ne shqiptarët nëse Yuri Kim është apo s’është më në lojë? Çfarë na hyn në punë ne, ndërkohë që Shqipëria po zbrazet?

Shqiptarët nuk presin deklarata për Kimetën, por ndërhyrje ndaj krimit, korrupsionit dhe kapjes së shtetit. Ata nuk presin opozitë që i lëpin duart Pilatit, por opozitë që ngrihet, thërret, përplas, sakrifikon. Çfarë opozite është kjo që nuk ka një plan për të përmbysur pushtetin e mafias dhe oligarkëve?
Berisha? Mbase më i zëshmi nga gjithë kupola, por i rrethuar nga njerëz që janë më të zënë me mbrojtjen e posteve dhe interesave të tyre sesa me misionin e opozitarizmit të vërtetë. Ai vetë ndodhet në një pozitë të vështirë, por tragjedia më e madhe është se ai dhe të tijtë nuk po shohin më përtej vetes. Nëse PD-ja sot është kthyer në një shoqatë viktimash, atëherë populli shqiptar është lënë pa përfaqësim të vërtetë.
E ndërkohë, Pilati i vërtetë vazhdon të shkatërrojë gjithçka: pronat, tokën, ekonominë, identitetin. Institucionet janë të kapura, drejtësia është selektive, shteti është kthyer në një aparat shërbimi për një kastë, ndërsa të gjithë të tjerët ndëshkohen ose detyrohen të ikin.
Pyetja është: kush do të ngrihet për këtë popull? Kush do ta thotë të vërtetën lakuriq pa frikë dhe pa pazare?
Sot nuk kemi më kohë për pritje, për fjalime, për analiza televizive dhe për fiksime diplomatike. Sot është koha për veprim, për rebelim qytetar, për nacionalizëm të pastër, për bashkim përtej partive dhe interesave. Shqiptarët meritojnë më shumë, por për këtë duhet të largohen të gjithë Pilatët – të pushtetit dhe të opozitës.
Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.