Nga Redaksia:
Pas 11 majit, Edi Rama nuk po sillet si një kryeministër i zakonshëm që feston rezultatin zgjedhor, por si një lider autoritar që pastron terrenin brenda partisë së vet. Largimet masive në strukturat e PS-së nëpër qarqe, nga drejtuesit politikë, janë tregues i qartë i frikës dhe jo i forcës.

Edi Rama nuk po i sheh më socialistët si bashkëpunëtorë, por si potencialisht të rrezikshëm. Ai po i eleminon sistematikisht, një nga një, për të garantuar një Parti Socialiste pa kokë tjetër veç tij, një PS që nuk i kërkon më llogari dhe që nuk guxon të ketë mendim ndryshe. Sepse ajo që e tremb Ramën nuk është opozita – ajo është e rrënuar. Ajo që e tremb është përçarja brenda shtëpisë së tij politike, sidomos pas tensioneve me figura si Erion Veliaj apo zërave që flasin për konsumimin e pushtetit dhe stuhinë e dosjeve të drejtësisë.
Kryeministri po tregohet gjithashtu i papërmbajtur ndaj institucioneve. Pasi kontrolloi votën përmes listave të manipuluara dhe patronazhistëve, tani po godet edhe autonominë e pushtetit lokal. Bashkitë janë kthyer në filiale të Kryeministrisë, ku askush nuk vendos pa lejen e tij.

Një tjetër front ku Rama ka hapur luftë është drejtësia. Prokurorët që guxojnë të mos zbatojnë urdhrat e padukshëm të Rilindjes, sulmohen dhe nxirren publikisht si “të kapur”. Ndërsa me SPAK-un, Rama ka ndërtuar një partneritet të dyshimtë: nuk përdoret për drejtësi të vërtetë, por për të ndëshkuar ata që i rrezikojnë pushtetin. Dosjet e pastra bëhen pis e dosjet e pista pastrohen – siç dyshohet të ketë ndodhur edhe në përplasjen e tij me Veliajn, që tani i qëndron në rrugë si pengesë për ambiciet e ardhshme.
Ndërkohë që Partia Socialiste hyn në një fazë të re, më të kontrolluar, më të heshtur dhe më pak demokratike, pritet që tensionet e brendshme të mos shuhen, por të shpërthejnë në forma të tjera. Në mungesë të kritikës së brendshme, çdo pakënaqësi do të dalë nga jashtë – në formën e rrjedhjeve, rebelimeve të izoluara ose heshtje të zgjatura që rëndojnë më shumë se fjalët.
Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.