Nga Redaksia PatriotikMedia.al
Në një nga vargjet më të fuqishme të letërsisë shqiptare, poeti atdhetar Ali Asllani ka skalitur me fjalë të zjarrta atë që ne sot e jetojmë në mish e në shpirt: maskaradën e pushtetarëve të pangopur, servilizmin ndaj të huajve, varfërinë e popullit dhe vjedhjen e pasurisë kombëtare.
Poezia “Që nga Korça gjer te Shkodra…” është jo vetëm një thirrje poetike, por një akt akuze ndaj gjithë atyre që e kanë parë Shqipërinë si plaçkë, jo si atdhe. Me një gjuhë therëse e të vërtetë deri në kockë, Asllani shpërfaq maskarenjtë që “hanë, pinë, rrëmbejnë e vjedhin”, ndërsa populli endet në mjegull, i mashtruar, i robëruar e i poshtëruar.
“Hani, pini dhe rrëmbeni, është koha e çakenjvet;
hani, pini e rrëmbeni, ësht’ bot e maskarenjve!”
A nuk është kjo pikërisht koha që po jetojmë sot? Me ministra të korruptuar që bien si gjethe para SPAK-ut, me liderë politikë që shesin moral në mëngjes e bëjnë pazare në darkë, me “patriotë” që bëjnë be për flamurin, por puthin këmbën e ambasadorëve për një kolltuk?
“Vendi qenka sofr’ e qorrit, vlen për goj’ e për lëfytë,
bëni sikur veni vetull’, shoku-shokut kreni sytë…”
Ky është një përshkrim i përkryer i elitës shqiptare që s’e ka problem të poshtërohet për një tender, të ulëret për demokraci teksa numëron milionat në llogari ofshore. Ata që dje ishin me thes në shpinë, sot na mbajnë fjalime me tituj “Grand Cordon” mbi gjoks dhe pasaportë diplomatike në xhep.
“Ai rron për zotrinë tuaj, pun’ e tija, djers’ e ballit,
ësht’ kafshit për gojën tuaj. Rroftë goja e çakallit!”
Por ndryshe nga shumë poetë që vajtojnë, Asllani paralajmëron. Ai shkund ndërgjegjen kombëtare. Ai i flet atdheut të robëruar me urrejtje për tradhtarët, por me dashuri të flaktë për popullin.
Kjo poezi duhet të botohet në muret e çdo shkolle, në faqet e çdo gazete të ndershme, të lexohet në çdo studio debati, të recitohet në protestat popullore.
Ali Asllani nuk ka shkruar për djeshmen. Ai ka shkruar për sotmen dhe për nesërmen. Zëri i tij është dritë në errësirë, zgjim në gjumë, dhe gjëmë mbi maskarenjtë. Nëse nuk e dëgjojmë këtë zë, atëherë nuk jemi vetëm të mashtruar – jemi bashkëfajtorë.
Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.