Nga Redaksia PatriotikMedia.al
Në sfondin e përplasjeve të reja mes SHBA-së dhe Iranit, shumë media dhe analistë të sistemit përpiqen ta reduktojnë këtë krizë në çështje të armëve bërthamore apo “shkelje të të drejtave ndërkombëtare”. Por për ata që shohin pas fasadës diplomatike, është e qartë: kjo nuk është luftë për parime, por luftë për kontroll ekonomik dhe strategjik.

Në zemër të kësaj përplasjeje qëndron Ngushtica e Hormuzit, një rrip i ngushtë ujor që ndan Gjirin Persik nga Deti Arabik dhe përmes së cilës kalon më shumë se 20% e furnizimit global me naftë çdo ditë. Kjo është pika nevralgjike e energjisë botërore – dhe kontrolli i saj është çelësi për dominim global.
Strategjia amerikane është bërë edhe më e qartë: Izolimi i Kinës dhe çmontimi i ndikimit të saj në Lindjen e Mesme. SHBA nuk e fshihte as në administratën e mëparshme se Pekini është kërcënimi kryesor afatgjatë për hegjemoninë amerikane. Dhe nëse Kina siguron akses të lirë në naftën iraniane dhe atë të Gjirit, ajo bëhet më e pavarur nga dollari dhe sistemi SWIFT – gjë që SHBA nuk mund ta lejojë.

Duke militarizuar ngushticën, SHBA synon ta bëjë këtë rrugë ujore një “det të brendshëm perëndimor”, ku çdo anije, çdo furnizim, çdo litër naftë të jetë nën radarët e Pentagonit dhe të flotës së 5-të amerikane.
Irani është penguesi i madh, dhe ajo e di, prandaj sa herë që kërcënohet, paralajmëron se do ta bllokojë Ngushticën e Hormuzit. Kjo nuk është blof. Është mënyra më e fuqishme që ka Teherani për të çuar dridhje në tregjet globale të energjisë dhe për të treguar se një luftë me Iranin nuk do të jetë kurrë lokale – por globale.
Kina dhe Rusia nga ana tjetër, kanë thelluar bashkëpunimin me Iranin pikërisht për këtë arsye: për të shmangur kontrollin e energjisë nga SHBA dhe për të krijuar një rend të ri shumëpolar. Dhe SHBA këtë nuk e duron dot.
Nëse në tokë përplasja SHBA-Rusi ndodh në Ukrainë, në det ajo ndodh në Hormuz. Ky krahasim nuk është rastësor. Të dy zonat përfaqësojnë kufijtë strategjikë të dy qytetërimeve: ai euroatlantik dhe ai euraziatik. Ngushtica e Hormuzit është pikërisht aty ku përplasen interesat amerikane për dominim me interesat kinezo-ruse për pavarësi.
Dhe për këtë arsye, çdo incident i vogël në këtë ngushticë mund të shndërrohet në kërcënim botëror. Një raketë që godet një tanker. Një anije e ndaluar nga Garda Revolucionare. Një stërvitje kineze në Oman. Të gjitha këto janë paralajmërime se loja e madhe sapo ka nisur.
E vërteta është se SHBA nuk është e shqetësuar për bombën iraniane – ajo është e shqetësuar për ekuilibrin e fuqisë që po ndryshon në Lindjen e Mesme. Iran-Kinë-Rusi po krijojnë një bosht që sfidon jo vetëm ushtrinë amerikane, por edhe sistemin financiar, tregtinë globale dhe kontrollin e burimeve.
Ngushtica e Hormuzit është vetëm simboli më i qartë i kësaj lufte të re: një luftë pa maskë, për pushtet, për dominim dhe për të ardhmen e njerëzimit.
Ky artikull është pjesë e dosjes speciale të PatriotikMedia.al mbi luftën energjetike dhe përplasjen globale mes qytetërimeve. Për më shumë analiza të thella, na ndiqni çdo ditë.
Ndalohet kopjimi dhe shpërndarja pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.