Nga Redaksia
Në fillim ishte thjesht një dyshim. Një tabelë ndërtimi pa godinë. Një firmë në një shkresë për një objekt që askush nuk e kishte parë kurrë me sy. Askush nuk fliste, por gjithçka lëvizte nën heshtje.
Për muaj me radhë, një grup aktivistësh të përkushtuar dokumentuan çdo detaj, çdo vendim, çdo firmë që lidhej me një ndërtesë-fantazmë në zemër të Tiranës – Godina nr.19 në Qytetin Studenti.
Çfarë u zbulua nuk ishte vetëm një rast abuzimi. Ishte një rrjetë e gjerë korrupsioni që lidhte nivelet më të larta të Bashkisë së Tiranës me kupolën e Partisë Socialiste. Arbjan Mazniku, ish-nënkryetar i Bashkisë dhe krahu i djathtë i Erion Veliajt, del në qendër të dosjes si një nga firmëtarët kryesorë të kësaj afere që përfshin fonde publike dhe ndërtime imagjinare.
Sipas të dhënave të siguruara nga aktivistët Aurel Kujtimi dhe Andrea Bregu, me mbështetjen ligjore të Avokatit Altin Goxhaj, Mazniku ka vepruar me urdhër dhe delegim të drejtpërdrejtë të Erion Veliajt. Dosja që aktualisht përmban qindra faqe dokumente, e lidh emrin e tij me dy objekte fantazmë që janë përdorur për të përvetësuar fonde, për të ndarë favore dhe për të manipuluar procedura ligjore.
Ajo që e bën çështjen edhe më të rëndë është zhvillimi i fundit brenda vetë strukturës së Rilindjes: tradhëtia e Maznikut ndaj Veliajt. Burime të besueshme flasin për lëvizje të heshtura të Maznikut për t’u distancuar nga Veliaj dhe për të rifituar besimin e Edi Ramës, duke sinjalizuar një përçarje të thellë në radhët e PS-së, mes klanit të Bashkisë dhe klanit të Kryeministrit.
Gjurmët e korrupsionit nuk ndalen vetëm te godina nr.19. Një tjetër projekt fantazmë, gjithashtu i dokumentuar me firma dhe urdhra, do të zbulohet në javët në vijim. Sipas burimeve, aksioni ligjor i nisur nga grupi investigativ do të kulmojë në fillim të muajit shtator, me paraqitjen zyrtare të dosjes pranë organeve të drejtësisë.
Kjo përplasje e heshtur, që prej muajsh fermentohet brenda Rilindjes, pritet të shpërthejë publikisht, duke tronditur themelet e një strukture politike që për vite me radhë ka ndërtuar pushtetin mbi manipulimin institucional dhe pasurimin në kurriz të interesit publik.
Rilindja nuk është më një bllok i hekurt. Çarjet e brendshme janë të thella. Një shtator i hidhur po afrohet, dhe me të edhe fundi i heshtjes.
Ky material është pronë e Patriotikmedia.al dhe është i mbrojtur nga ligjet për të drejtën e autorit. Ndalohet riprodhimi, shpërndarja apo publikimi i plotë apo i pjesshëm i këtij materiali pa lejen e shkruar paraprakisht nga redaksia. Shkelësit do të përballen me pasojat ligjore sipas legjislacionit në fuqi.