19 Jun 2025, Thu

Nga “Lufta e Yjeve” në Luftën për Paqen Botërore: Sfida e Presidentit Trump për një botë që po merr flakë …

Nga Fatmir Merkoçi

Dikur lufta mes superfuqive zhvillohej në hapësirë. SHBA dhe Bashkimi Sovjetik garonin për të pushtuar Hënën, për të dominuar teknologjinë dhe për të treguar forcën përmes satelitëve dhe stacioneve orbitale. Lufta e Ftohtë i dha botës një revolucion në komunikim, por edhe një garë të ethshme që për pak nuk përfundoi në katastrofë.

Pas rënies së Bashkimit Sovjetik dhe Traktatit të Varshavës, u krijua një frymë e re bashkëpunimi mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara. Stacioni hapësinor “Mir” u bë simbol i bashkëjetesës paqësore në univers. Por ndërsa hapësira u qetësua, toka nisi të vlojë sërish.

Sot, bota është në një rrezik më të madh se kurrë. Lufta në Gaza, e ndjekur nga tensionet me Iranin, po e afron globin drejt një përplasjeje të madhe. Fillimisht, opinioni ndërkombëtar e mbështeti Izraelin. Por ndërsa lufta vazhdoi, me viktima civile, fëmijë të vrarë dhe ndihma humanitare të bllokuara, zemërimi ndërkombëtar po rritet.

Mbështetja e pakushtëzuar e SHBA-ve ndaj Izraelit ka çuar në kritika edhe nga vetë aleatët e ngushtë. Vërtet, Amerika qëndron historikisht në krah të Izraelit, por ka një kufi që nuk mund të kalohet: SHBA nuk mund të bëhet vasal i asnjë shteti, as të Izraelit. Kjo do të ishte një çmenduri që rrezikon moralin dhe sovranitetin e superfuqisë së fundit perëndimore.

Nga ana tjetër, nisja e përshkallëzimit ndaj Iranit i dha konfliktit një tjetër fytyrë – atë të një lufte ideologjike dhe ekspansioniste, që shkon përtej vetëmbrojtjes së Izraelit. Kjo përkon me përpjekjet e Presidentit Trump për të ndaluar luftrat e pakuptimta dhe për të vendosur paqen përmes diplomacisë së drejtpërdrejtë.

Sot, me kthimin e tij në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Donald Trump është vendosur në qendër të vendimmarrjes globale. Ai e ka bërë të qartë: nuk dëshiron luftë, por zgjidhje. Ai kërkon një takim tet-a-tet me udhëheqësit iranianë për të frenuar përplasjen. Sepse nëse SHBA përfshihet ushtarakisht në këtë konflikt, bota do të përballet me Luftën e Tretë Botërore.

Trump nuk do ta lejojë këtë. Ai synon të tregojë se premtimet e tij nuk janë thjesht retorikë elektorale, por pjesë e një ideologjie konservatore që beson në rend, dialog dhe fuqinë e ligjit ndërkombëtar. Dhe për të realizuar këtë, ai e di që duhet të ndërtojë një zgjidhje të qëndrueshme, larg ndërhyrjeve të padobishme të vendeve të treta, përfshirë edhe ato që kërkojnë dominim përmes kaosit, si Kina.

Kina po fuqizon pozitat e saj, jo vetëm përmes armatimit të sofistikuar dhe teknologjisë, por edhe përmes aleancave të heshtura me Iranin dhe Rusinë. Furnizimet e armatimeve dhe mbështetja e qëndrueshme financiare e bëjnë atë një faktor destabilizues. Por Trump e kupton se pa Rusinë në tryezë, zgjidhjet globale janë të pamundura.

Jo më kot ai deklaroi në takimin e G7-ës se përjashtimi i Rusisë nga G8-ta ishte një gabim fatal. Pa një dialog të hapur me Moskën, asnjë paqe nuk mund të jetë afatgjatë dhe asnjë vendim nuk do të ketë peshën e duhur globale.

Më poshtë mund të lexoni:

Sot, bota ka sytë dhe veshët te Donald Trump. Ai është i vetmi lider që mund të shmangë përplasjen dhe të rikthejë shpresën. Jo përmes retorikës së dobët, por përmes veprimit dhe vendosmërisë që i mungon elitës globale.

Me besim në Zot dhe mbështetjen e popullit amerikan, Presidenti Trump mund ta shmangë katastrofën botërore dhe të futet në histori si njeriu që ndaloi Luftën e Tretë Botërore. Sepse në fund, edhe kur gjithçka duket e errët, zgjidhja është gjithmonë më e thjeshtë sesa konflikti vetë.

Kujdes spiunet

Ndalohet kopjimi dhe shpërndarja pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *