Nga Redaksia
Frikacakët gjithmonë zgjedhin dy rrugë: ose për t’u fshehur ose për t’u larguar, këtë model ka zgjedhur dhe kryeministri i Shqiptarëve Edi Rama gjithë këto vite në pushtet, sepse ai njihet si mjeshtër për t’ju bërë gropën të tjerëve për të shpëtuar kokën e tij
Teksa raporti i OSBE-së për zgjedhjet e 11 majit troket në derë, Edi Rama duket se ka nisur të flijojë të vetët për të larë mëkatet e pushtetit. Belinda Balluku dhe Arbjan Mazniku përfundojnë nën hetim të thelluar nga SPAK, ndërsa nëpër korridore politikash përshpëritet: “Dardhat janë ngrënë pas shpinës së Minukut…”
SPAK, në bashkëpunim me agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), ka ndërmarrë kontrolle të imëta në banesat e dy figurave të njohura të mazhorancës: zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku, dhe drejtori i Agjencisë së Zhvillimit Territorial, Arbjan Mazniku. Sipas burimeve konfidenciale, janë sekuestruar dokumente, mallra luksi, dhe janë analizuar pasuri të pajustifikuara që mund të kenë lidhje me afera të mëdha korruptive.
A është kjo drejtësi? Apo thjesht lojë politike?
Lëvizja e SPAK-ut ka ngjallur spekulime të shumta. Pse pikërisht tani? A është ky një sinjal për të shfryrë zemërimin popullor pas denoncimeve të shumta për blerje votash, përdorim të administratës dhe terror elektorale në 11 maj? Apo ndoshta dikush po përpiqet të ruajë fytyrën ndërkombëtare para OSBE-së, duke sakrifikuar disa figura të afërta me pushtetin?
Në koridoret e zymta të Rilindjes flitet me gjuhë të prerë:
“Këta kanë hëngër dardha pas shpinës së Minukut.”
Minuku, siç e quajnë brenda rrethit të ngushtë, nuk fal tradhtinë. Dhe kushdo që tenton të rrisë influencën jashtë rregullave të vendosura, përballet me ndëshkimin shembullor. Hetimi ndaj Ballukut dhe Maznikut nuk është vetëm çështje ligji – është mesazh politik.
Pasuritë e Ballukut dhe Maznikut në lupën e hetimit
Prej vitesh, portale të ndryshme investigative kanë raportuar për mënyrën e dyshimtë të pasurimit të dyshes. Vila, apartamente, udhëtime luksoze, investime të paligjshme, koncesione klienteliste – të gjitha këto janë lakuar, por gjithmonë janë mbyllur me heshtje politike. Deri tani.
Nëse hetimet do të jenë reale, shumë zyrtarë të tjerë do të duhet të dridhen. Por nëse ky është thjesht një shfaqje për të shpëlarë imazhin e një regjimi të korruptuar, atëherë populli do të gënjehet sërish.
Ndalohet kopjimi dhe shpërndarja pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.