Nga Redaksia PatriotikMedia.al
Një meme me dy fytyra qeni po qarkullon në rrjet dhe ka thënë më shumë sesa 100 analiza politike: shqiptarët e sotëm janë më të revoltuar kur humbet kombëtarja në një ndeshje futbolli, sesa kur qeveria i zhvat çdo ditë nga xhepat, pasuritë dhe dinjiteti.

Në të majtë, një qen i zemëruar – “Reagimi i shqiptarëve kur nuk fiton kombëtarja”.
Në të djathtë, e njëjta kafshë, por tani me një buzëqeshje të turpshme, të pajetë – “Reagimi i shqiptarëve kur i vjedh qeveria”.
Për fat të keq, kjo nuk është thjesht një batutë e shpejtë interneti. Është një diagnozë e saktë e një shoqërie që ka normalizuar krimin dhe abuzimin në majë të shtetit, ndërkohë që emocionet i rezervon për sportin, festivalet apo Big Brother-in.
Kur del ndonjë investigim për tendera mafiozë, për miliona të zhdukur në koncesione, apo për oligarkë që bëjnë ligjin mbi ligjin – rrjetet sociale heshtin. As protesta, as zemërim, as kërkesë për llogari. Por mjafton të humbasë Shqipëria një ndeshje futbolli, dhe rrjeti ndizet: komente, sharje, ofendime, analiza të “ekspertëve” të divanit.
Ironikisht, më shumë nervozizëm ka për një humbje me Spanjën, sesa për një vjedhje nga Rama me inceneratorët.
Kjo heshtje ndaj padrejtësisë ka emër: shthurje morale kolektive. Një shoqëri që është lodhur duke kërkuar drejtësi dhe ka gjetur qetësi tek …pranimi i humbjes. Ka pranuar që ky vend nuk ndryshon, dhe më mirë të bërtasim për një penallti të padhënë sesa për një spital pa ilaçe.
A ka më keq se kaq?
Ka. Kur i njëjti popull që nuk lë status pa komentuar kur portieri nuk pret dot një goditje, nuk ka asnjë interes kur policia arreston qytetarë të pafajshëm, apo kur taksat e tij shkojnë për pushime qeveritarësh.
Një popull që proteston për futboll dhe hesht për hajdutë, nuk ka shtet, por ka stadium.
PatriotikMedia.al – Sepse fjala nganjëherë i vlen më shumë se një gol në shtesë.
Ndalohet kopjimi dhe shpërndarja pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.