9 Aug 2025, Sat

Shqiptarët “Patriotë” vetëm në stadium – Se në shesh mungojnë!

Nga Redaksia:

Kur Edi Rama e bën shtetin pronë private dhe qytetarët rrinë në rradhë për bileta 1 mijë euro për ndeshje futbolli.

Në një Shqipëri të rrënuar nga korrupsioni, arroganca politike dhe padrejtësia, populli nuk ngrihet më për dinjitet. Por për një ndeshje futbolli, shqiptarët derdhen me mijëra, grinden për bileta dhe paguajnë çmendurisht – deri në 1 mijë euro për një vend në stadium! Po kur është fjala për të protestuar kundër një kryeministri që sillet me Shqipërinë si me pronën e babait të tij, rrugët dhe sheshet janë bosh.

Kjo është fotografia e një kombi që ka ngatërruar patriotizmin me spektaklin.

Edi Rama, mjeshtër i shfaqjes dhe manipulimit, nuk ka më nevojë të përballet me zemërimin e qytetarëve. I mjafton të organizojë një aktivitet sportiv ose një shfaqje luksoze, dhe gjithçka tjetër harrohet. I mjafton një flamur, një selfie dhe ndonjë batutë prej artisti të lodhur, që turma të harrojë çmimet, emigrimin, spitalet e kalbura, drejtësinë e kapur, votat e blera dhe pronat e grabitura.

Ku janë shqiptarët patriotë kur qyteti mbushet me beton e kullë? Ku janë kur gjykatat shesin drejtësinë me pazare partiake? Kur policia keqtrajton qytetarët e zakonshëm dhe hesht para kriminelëve me lidhje qeveritare? Kur të rinjtë ikin çdo ditë dhe fshatrat zbrazen?

Jo, atëherë nuk ka turmë. Nuk ka flamuj. Nuk ka brohoritje. Sepse është më kollaj të ngresh flamurin në stadium sesa në bulevard përballë kryeministrisë.

Dhe ironia më e madhe? Ky popull që i ka dhënë miliona euro për sport dhe stadiume këtij regjimi, është i njëjti që sot paguan me qindra euro për të parë një ndeshje ku biletat i shpërndan një oligarki e vogël si në një treg të zi modern.

A është kjo patriotizëm? Apo thjesht konsum emocional i komanduar nga spektakli?

Ndërsa Rama luan rolin e zotit të festës dhe kombit, populli hesht. Ndërsa oligarkët kontrollojnë çdo cep të ekonomisë dhe politikës, turmat qeshin dhe bëjnë “selfie patriotike” në stadiume.

Stadiumi është kthyer në altar të shfryrjes kolektive, ndërsa sheshi është lënë bosh – pikërisht aty ku duhej të ngrihej zëri i vërtetë i një populli që s’e duron më padrejtësinë.

PatriotikMedia.al nuk hesht. Ne pyesim:

Kur do të ketë më shumë flamuj në shesh sesa në stadium? Kur do të kushtojë më shumë një protestë për të ardhmen, sesa një biletë për 90 minuta harresë?

Sepse për sa kohë heshtim, Edi Rama do të vazhdojë të luajë me Shqipërinë si me lodrën e vet personale. Dhe të vetmit që do të fitojnë, nuk janë sportistët, por ata që e shndërruan një komb të tërë në spektatorë të vetëzhdukjes së tyre.

Ndalohet kopjimi dhe shpërndarja pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *