Nga Redi Minga
Në Shqipërinë e ditëve tona, hipokrizia politike ka kapur majat më të larta të pështirosjes morale. Një kategori individësh që sot dalin nëpër televizione, marrin fjalën nëpër konferenca, dhe hiqen si flamurtarë të antikomunizmit, në të vërtetë janë produkti më i pastër dhe më i rrezikshëm i sistemit që gjoja i përndoqi.
Po flasim për të ashtuquajturit “demokratë” që mbajnë në gojë fjalët “diktaturë”, “persekutim”, “vuajtje”, por që në zemër e në mendësi janë më komunistë se vetë bllokmenët e Enverit. Këta pseudo-antikomunistë nuk luftojnë për drejtësi, nuk përfaqësojnë viktimat e vërteta të komunizmit, por janë aty për të marrë privilegje, për të shitur moral dhe për të blerë pushtet. Disa prej tyre edhe kanë pasur familjarë të përndjekur – por çfarë bëjnë me këtë trashëgimi? E përdorin si kartë krediti morale për të hyrë në pazaret e politikës së ditës.
Sot, këta njerëz flasin në emër të lirisë, por në çdo fjalë të tyre ndjen arrogancën e nomenklaturës. Dje i urrenin komunistët që i lanë pa bukë, sot imitojnë metodat e tyre për të zaptuar poste, për të mbyllur gojën e kujtdo që nuk është dakord me linjën e partisë apo interesin personal. Nëpër studio televizive flasin për pluralizëm, ndërsa pas dyerve mbyllin marrëveshje që do ia kishin zili edhe ish-sigurimsat.
A ka më turp se një “i përndjekur” që shërben sot si argat i qeverisë më të korruptuar në historinë e Shqipërisë? A ka më ironi historike se sa “demokratë” që bëjnë aleancë me oligarkinë, ndërsa populli që përfaqësojnë vuan nga mjerimi dhe padrejtësia?
Kjo kategori nuk lufton për ideal, por për interes. Nuk i ka mbetur asnjë parim në shpirt – përveçse një: paraja mbi gjithçka. Janë bërë profesionistë të maskimit, mjeshtër të viktimizimit të vetvetes, dhe më e rrezikshmja: ata sot po formojnë një kastë të re të paprekshme, një “bllok” të ri, ku hyrja kushton besnikëri ndaj parasë, jo ndaj kombit.
Prandaj, shqiptarë, hapni sytë! Jo çdo “i përndjekur” është i ndershëm, dhe jo çdo “antikomunist” është demokrat. Ka ardhur koha që të ndahen burrat nga mashtruesit, idealistët nga përfituesit. Kombi nuk ka nevojë për nostalgjikë të bllokut me maskë blu, por për burra dhe gra që e duan Shqipërinë më shumë se interesin personal.

Shënim: Kush është Redi Minga:
Ai është shkrimtar, analist dhe redaktor i Patriotikmedia.com, Patriotikmedia.al si dhe i Stopfakealbania.com. Origjina e tij është nga qyteti i Tiranes, ai u zhvendos në Zvicer për të punuar për një media Zviceriane, sot ai punon për Patriotik Media Albania dhe që atëherë ka vazhduar të punojë në rolin e analistit ku ka bërë shumë analiza dhe editoriale në disa portale Zviceriane. Biles ai ka shkruar gjithashtu edhe për disa portale amerikane.
Ndalohet kopjimi dhe shpërndarja pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.