Nga Kastriot Çipi – për PatriotikMedia.al

Me shumë gjasë, në tetor 2025, Shqipëria do të përballet me zgjedhje të parakohshme për kryetar bashkie në Tiranë, Berat dhe Tepelenë. Në vend që ky të jetë një rast për alarm kombëtar brenda opozitës shqiptare, kemi një heshtje vdekjeje që duket si vazhdim i skenarit të dorëzimit të plotë të vendit në duart e sektit rilindist.
Pyetja që ngrihet është dramatike në thjeshtësinë e saj:
Ka ndërmend Partia Demokratike të marrë pjesë në këto zgjedhje?
Nëse po – kur do të nisë përgatitjet? Në shtator? Nëse po mendon të futet në një proces elektoral me përgatitje trejavore, atëherë le të shpallë që tani se është vetë dorëhequr nga politika.
Por le të shkojmë më thellë:
Si do të garojë PD? E vetme? Apo me ndonjë koalicion të paqartë, që mblidhet 10 ditë para votimeve për të bërë ndonjë pazaret mes listash e pakënaqësish?
Në asnjë nga këto tre bashki, PD nuk ka asnjë shans real për të fituar pa bashkëpunimin me të gjitha forcat e tjera opozitare. Kjo është aksiomë politike. E vetmja formulë që mund të krijojë energji, legjitimitet dhe shpresë është:
Primare të hapura, jo vetëm për kandidatët, por edhe për qytetarët, pavarësisht përkatësisë partiake.
Nëse PD (apo kushdo që pretendon të përfaqësojë opozitën) nuk ka ndërmend të marrë pjesë, atëherë të paktën të ketë burrërinë të kërkojë falje publike. Jo vetëm qytetarëve të tradhtuar, por edhe Lulzim Bashës, që më 2019 i dorëzoi në tavolinë të gjitha bashkitë. Sepse paska qenë më i sinqertë: të paktën ai tha “jo” në mënyrë të qartë. Tani kemi një opozitë që bën sikur është, por nuk ekziston realisht në asnjë terren elektoral.
Ky apel nuk i drejtohet vetëm PD-së. Vlen njësoj për të gjitha partitë e vogla që rrotullohen rreth opozitës si satelitë pa gravitet. Nëse mendoni të përballeni me rilindasit vetëm me logon e partisë suaj dhe një status në Facebook, jeni të dështuar që tani.
As përballë PS-së nuk keni shans. Dhe as përballë PD-së, nëse ajo vendos të zgjohet. E vetmja rrugë është:
Bashkëpunim i sinqertë, i hapur dhe transparent, me qytetarët në qendër të vendimmarrjes.
Nëse jo – nëse çdo forcë politike vazhdon të mendojë vetëm për siglën e vet dhe pazarin që mund të bëjë për ndonjë vend në këshillin bashkiak – atëherë qytetarët nuk kanë më asnjë arsye të kenë besim tek ju.
Në atë rast, qytetarët duhet të vetorganizohen. Të formojnë një parti të re, anti-sistem, që nuk vjen nga zyrat e pluhurosura të Tiranës politike, por nga zemërimi i drejtë i një populli të tradhtuar.
PS për demokratët që ende flenë me shpresë se “prit të mbarojmë me farsën e 11 majit”:
Farsa ka mbaruar. Këllira ka fituar. Komuniteti ndërkombëtar i ka njohur zgjedhjet. E kemi parë këtë film – në 2015, 2017, 2019, 2021 dhe 2023.
Vetëm ju mund të shikoni “Debatikun” 6 herë, duke shpresuar se Coli nuk do të vritet në fund.
Zgjohuni.
Sepse ky është shansi i fundit.
Ndalohet kopjimi dhe shpërndarja pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.