Nga Redi Minga – PatriotikMedia.al
Në vitin 2021, Sali Berisha riktheu frymën e opozitës, duke ndezur shpresat e mijëra demokratëve të zhgënjyer nga pazaret dhe kapitullimet e Lulzim Bashës. U organizuan protesta, kuvende, foltore, u ringrit struktura dhe u dha besim se Partia Demokratike do t’i rikthehej bazës, do të çlirohej nga pengjet e ambasadave dhe do të ishte një forcë e vërtetë konservatore shqiptare.
Por sot, në qershorin e vitit 2025, pas zgjedhjeve të 11 majit, realiteti është i hidhur. PD-ja është në kolaps. Në vend që të shënonte një ringritje triumfale, përjetoi një tjetër humbje poshtëruese në Tiranë, pikërisht aty ku drejtuesit lokalë u përzgjodhën pa meritë dhe pa ideal, por përmes lidhjeve me fondacionet e huaja dhe paratë e errëta të Sorosit. Dhe përgjegjësia nuk mund të fshihet më: ajo bie direkt mbi Sali Berishën.
Përpjekja e Berishës për të rimarrë partinë nga pengmarrësi Basha ishte e drejtë dhe e lavdërueshme në fillim. Por ajo që pasoi nuk ishte një rilindje, por një kapitullim i heshtur dhe një marrëveshje e pashpallur që e ka zhytur PD-në në një krizë ekzistenciale. A është Lulzim Basha ende peng i Sorosit? Po. A janë drejtuesit e PD-së në Tiranë pjesë e kësaj skeme ndërkombëtare për të neutralizuar opozitën shqiptare? Po. A ka bërë Berisha gjithçka për t’i larguar këta? Jo.
Kuvendi i 2022 ishte një sinjal shprese. Por që nga ajo kohë, kemi parë vetëm manovra, emërime nepotike dhe mungesë transparence. PD u kthye nga një forcë e rezistencës në një strukturë pa bosht, ku të njëjtët emra – të rinj vetëm në moshë, por të vjetër në mendësi klienteliste – bëjnë karrierë mbi kurrizin e militantëve të thjeshtë.
Por shqiptarët nuk kanë heshtur. Më 7 korrik, vendi u trondit nga protesta më e madhe, më e pastër dhe më e patriotike e dekadës së fundit. Mijëra shqiptarë dolën në rrugë – jo për t’u përdorur nga ndonjë parti, por për të thirrur fort kundër regjimit Sorosian të Edi Ramës dhe për të shpallur revoltën kundër çdo pazari që i mban shqiptarët peng. Ishin aty patriotë të vërtetë si Kreshnik Osmani, avokati Altin Goxhaj, e shumë figura të tjera të panjohura por të ndershme, të cilët i dhanë protestës zërin e kombit.
Por çfarë ndodhi? Asnjë reagim nga Partia Demokratike. Asnjë mbështetje nga drejtuesit e saj. Asnjë fjalë nga Berisha. Në vend që të ndodhte një bashkim rreth kësaj proteste të vërtetë popullore, PD-ja heshti. U mbajtën fjalime, por zëri i patriotëve nuk u dëgjua nga elita e vjetër që ende mban çelësat e opozitës shqiptare në xhepat e saj.
Sali Berisha, ora jote kapitulloji.
Ti e bëre tënden. Ju ktheve njerëzve zërin. Por më pas e dorëzove partinë sërish në duart e atyre që e shkatërruan. Nuk është vonë të bësh një akt të fundit dinjitoz: të dorëzosh çelësat e Partisë Demokratike tek të rinjtë e vërtetë, jo tek kukullat e Sorosit. Ka në PD djem dhe vajza të përgatitur, patriotë, me kurajo dhe ideale. Ka figura që nuk janë konsumuar, që nuk janë të lidhur me ambasadat, që nuk i frikësohen askujt përveç ndërgjegjes së tyre.
Nëse kjo nuk ndodh, atëherë është koha për një Lëvizje të Re Patriotike, që nuk pret më leje nga askush, që nuk kërkon më mbështetje nga strukturat e kalbura, por që ndërton një opozitë të re, të drejtë, kombëtare dhe të pavarur. Koha e lojalitetit ndaj simboleve të vjetra ka mbaruar. Tani është koha e aksionit, e guximit dhe e bashkimit për Shqipërinë e shqiptarëve, jo për projektet e globalistëve.
Shënim: Kush është Redi Minga:
Ai është shkrimtar, analist dhe redaktor i Patriotikmedia.com, Patriotikmedia.al si dhe i Stopfakealbania.com. Origjina e tij është nga qyteti i Tiranes, ai u zhvendos në Zvicer për të punuar për një media Zviceriane, sot ai punon për Patriotik Media Albania dhe që atëherë ka vazhduar të punojë në rolin e analistit ku ka bërë shumë analiza dhe editoriale në disa portale Zviceriane. Biles ai ka shkruar gjithashtu edhe për disa portale amerikane.
Ndalohet kopjimi dhe shpërndarja pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.