Nga Redaksia
Berlin – Në një deklaratë që më shumë ngjan me një skenar filmi hollivudian se me realitetin gjerman, kancelari Friedrich Merz shpalli me krenari se Gjermania do të forcojë ndihmën ushtarake për Ukrainën, përfshirë këtu edhe prodhimin e raketave me rreze të gjatë.
Po, e lexuat mirë – Gjermania që nuk po i mban dot në këmbë tanket e veta, tani do bëhet lider në raketa!
“Ukraina mund të mbrohet në të gjithë territorin e vet,” tha Merz me një seriozitet që i mungon armatimit të Bundeswehrit, ku ushtarët stërviten me armë plastike dhe avionët luftarakë janë më shpesh në riparim se në ajër.
Merz njoftoi gjithashtu se nuk ka më kufizime për armët që Ukraina mund të përdorë kundër Rusisë – një deklaratë e fuqishme nga një vend që mezi dërgon municion sepse magazinat janë bosh ose… thjesht nuk dinë ku i kanë!
Në Berlin u përmend edhe bashkëprodhimi i raketave në Ukrainë, sepse me sa duket është më e lehtë të ndërtosh armë në një vend në luftë, sesa në Gjermani ku sindikatat, burokracia dhe mungesa e pjesëve rezervë mund të vonojnë çdo projekt për 20 vjet.
Në fund, Merz tha se nuk do të flasë për raketat “Taurus” që godasin Moskën, sepse – citojmë – “Rusia nuk ka pse t’i dijë të gjitha planet tona”. As ne nuk i dimë, se ndoshta as vetë Merz nuk i di – por gjithsesi tingëllojnë shumë mirë për kamerat.
Nga ana tjetër, ekonomia gjermane është në rënie të lirë, investimet kanë ikur, inflacioni po troket dhe qytetarët e zakonshëm mezi paguajnë faturat – por hej, s’ka problem, sepse Merz ka një plan: më shumë raketa!
Ndërkohë nga Moska vijnë paralajmërime për përshkallëzim të luftës – ndoshta sepse dhe ata janë të habitur që Gjermania, me gjithë problemet e veta, po luan rolin si komandanti i NATO-s.
PatriotikMedia.al – aty ku ironia është më e fortë se propagandat boshe.
Ndalohet kopjimi dhe shpërndarja pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.