19 Jun 2025, Thu

Ligji që falimentoi fermerët Shqiptarë – Tradhëtia e madhe ndaj Shqipërisë së vërtetë …

Nga Redaksia –

Ka ardhur koha të flasim hapur. Të mos kemi më frikë nga e vërteta, të mos e fshehim më realitetin pas flamujve partiakë dhe retorikës boshe. Një komb që nuk respekton pronën dhe punën është i destinuar të jetë një komb i robëruar. Shqipëria u robërua për herë të dytë, jo nga një pushtues i huaj, por nga politikanët shqiptarë – të majtë e të djathtë – që shkatërruan me vetëdije gjithçka që ky popull ndërtoi me mund e gjak.

Diktatura komuniste përdori shqiptarët si skllevër – ky është një fakt i padiskutueshëm. Por edhe në atë sistem të egër, djersa e atyre njerëzve prodhoi pasuri, ndërtoi uzina, ngriti fabrika, ndërtoi kanale ujitëse, serra, ferme, ndërmarrje bujqësore, kombinate. Shqipëria kishte themelet për t’u bërë një vend i fuqishëm prodhimi në Ballkan. Ishim në rrugën drejt vetë-mjaftueshmërisë ekonomike. Dhe atëherë ndodhi TRADHTIA!

Pas viteve ‘90, me ardhjen e pseudo-demokracisë, në vend që të ndodhte një tranzicion i drejtë, ndodhi një grabitje kombëtare. Pronat iu kthyen me letra fallco njerëzve që nuk kishin asnjë lidhje me tokën. Ligji 7501 nuk ishte thjesht një ligj, por një armë në duart e atyre që donin të ndanin, jo të bashkonin. Fuqia e vërtetë e fshatit shqiptar u thye, u përçua dhe u poshtërua.

Ku ishin politikanët kur u shkatërruan kanalet ujitëse që mbushnin jetën e fshatrave me ujë?
Pse Sali Berisha e më pas Partia Socialiste lanë të shkatërrohej sistemi bujqësor shqiptar, të vidhej toka, të shembej industria që kishte filluar të lindte nga mundi i brezave?
Përse nuk investuan në modernizimin e teknologjisë, në bujqësi inteligjente, në makineri, në tregje për fermerët tanë?

Sepse e gjithë klasa politike shqiptare, pa dallim ngjyre, u shndërrua në një organizatë kriminale që kishte për mision të shiste Shqipërinë copa-copa. Të shiste tokën e pronarit, të shkatërronte fermat, të zhdukte çdo gjurmë të industrisë shqiptare vetëm sepse “ishin ndërtuar në diktaturë”. Po si ka mundësi që në Itali, Gjermani, Greqi, ndërtesat dhe strukturat e ndërtuara në diktaturë janë modernizuar dhe përdoren edhe sot, ndërsa te ne u shkatërruan me urrejtje, me ligësi dhe me qellim për të zhdukur krenarinë kombëtare?

Mos harroni fjalët e grekëve:
“Sikur Shqipëria të mos kishte shkatërruar fermerët, uzinat dhe fabrikat, do të ishim ne grekët që do vinim të punonim në Shqipëri, jo shqiptarët që vijnë të na shërbejnë neve!”

Po, kjo është e vërteta që nuk e thonë në televizione. Shqiptarët kishin ndërtuar gjithçka: nga industria e rëndë te ajo e lehtë, nga fermat e specializuara te koperativat që sot mund të ishin bërë gjigandë furnizues të Evropës me produkte “Made in Albania”. Por tradhtarët e brendshëm i shitën ato me çmimin më të lirë: për pushtet personal dhe për vota.

Kjo nuk është më vetëm çështje politike. Kjo është çështje kombëtare. Kjo është thirrje për drejtësi historike.
Ne kërkojmë që prona t’i kthehet pronarit.
Kërkojmë që toka të bashkojë fermerin me investitorin.
Kërkojmë që çdo djersë e këtij kombi të mos shkojë dëm.

Dhe mbi të gjitha, kërkojmë një Shqipëri që nuk përkulet për një thes me ndihma, por që qëndron fort, prodhon dhe jeton me nder. Mjaft me shkatërrim! Mjaft me fjalë boshe!

Koha e llogaridhënies po afron. Dhe zëri i pronarit, i fermerit dhe i shqiptarëve të ndershëm nuk do të mundet më.

Redaksia
Zëri i së Vërtetës Kombëtare

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *