Mediat botërore “zbarkojnë” te SPAK – Projektet e dyshimta Rama-Kushner në Shqipëri …

Nga Redaksia – Projektet turistike të lidhura me biznesmenin amerikan Jared Kushner, dhëndrin e Presidentit të SHBA-së Donald Trump, në bregdetin shqiptar kanë tërhequr vëmendjen e disa prej mediave më prestigjioze ndërkombëtare, të cilat kanë kërkuar sqarime zyrtare nga Prokuroria e Posaçme (SPAK).

Fox News, CNN, The New York Times, CBS News, The Times, Anadolu Agency, Rai Tre dhe media të tjera kanë dërguar kërkesa zyrtare për informacion, duke pyetur nëse SPAK po heton projektet turistike në Ishullin e Sazanit, Zvërnec apo zonën Vjosë–Nartë, ndryshimet ligjore të vitit 2024, statusin e zonave të mbrojtura dhe transaksionet e pronave në këto territore.

SPAK: Nuk ka hetim për Kushner apo projektet e tij

Në përgjigjet zyrtare, SPAK ka qenë i prerë se nuk ekziston asnjë procedim penal i hapur që lidhet me Jared Kushner apo me ndonjë projekt zhvillimi të lidhur me të.

Institucioni konfirmon se ka regjistruar një hetim penal, por thekson se ai nuk ka lidhje me çështjet për të cilat kanë pyetur mediat ndërkombëtare.

“Për shkak të sekretit hetimor dhe konfidencialitetit të hetimeve paraprake, nuk mund të bëhen publike detaje të tjera në këtë fazë”, është përgjigjja që SPAK u ka kthyer në mënyrë të përsëritur mediave.

Mohim edhe për sekuestrimin e llogarive të Albania Land Development

Një tjetër çështje që ka ngjallur interes ka qenë raportimi për sekuestrimin e llogarive bankare të kompanisë Albania Land Development, e cila është përmendur në lidhje me projektet e zhvillimit në zonën e Zvërnecit.

Në përgjigje të kërkesës së Anadolu Agency, SPAK ka mohuar se ka urdhëruar ndonjë masë sekuestrimi preventiv ndaj llogarive bankare të kësaj kompanie.

Pyetje për Sazanin, Vjosë-Nartën dhe ndryshimet ligjore

Gazetarët e CNN, The New York Times, CBS News dhe mediave të tjera kanë kërkuar konfirmim nëse Prokuroria po heton:

  • ndryshimet e statusit të mbrojtjes së Ishullit të Sazanit dhe zonës Vjosë–Nartë;
  • ndryshimet ligjore të vitit 2024 që hapën rrugën për zhvillime turistike;
  • transferimet dhe shitjet e tokave në zonën e Zvërnecit;
  • dyshime për dokumente të falsifikuara apo praktika të parregullta në procesin e pronësisë;
  • procesin e dhënies së statusit “Investitor Strategjik”.

Megjithatë, në të gjitha rastet SPAK ka refuzuar të komentojë mbi objektin konkret të hetimit, duke iu referuar detyrimit ligjor për ruajtjen e sekretit hetimor.

Kërkesa edhe për intervista dhe dokumente

Interesi i mediave ndërkombëtare nuk është kufizuar vetëm te pyetjet me shkrim. Rai Tre dhe MSNBC kanë kërkuar intervista me përfaqësues të SPAK-ut, ndërsa The Times ka kërkuar dokumentacion mbi çdo procedim apo verifikim që lidhet me vendimet e marra pas vitit 2024 për zonat e mbrojtura dhe projektet turistike.

Edhe në këto raste, SPAK ka bërë të ditur se, përtej njoftimeve zyrtare të publikuara deri tani, nuk ka informacion shtesë që mund të vihet në dispozicion të medias.

Çështja vijon të tërheqë vëmendjen ndërkombëtare

Interesi i mediave prestigjioze ndërkombëtare tregon se projektet e zhvillimit turistik në bregdetin shqiptar, veçanërisht ato të lidhura me Jared Kushner dhe fondin e tij të investimeve, vijojnë të jenë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare.

Megjithatë, sipas qëndrimit zyrtar të SPAK-ut, deri në këtë fazë nuk ekziston asnjë hetim penal që lidhet me Jared Kushner apo me kompanitë e përfshira në projektet e tij në Shqipëri, ndërsa çdo informacion tjetër mbetet i mbrojtur nga konfidencialiteti i hetimeve paraprake.

Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

Back To Top