Fatura e konfliktit Rama–Becchetti rëndon mbi taksapaguesit, mbi 10 milionë euro vetëm për avokatët …

Nga Redaksia – Konflikti shumëvjeçar mes kryeministrit Edi Rama dhe biznesmenit italian Francesco Becchetti vijon t’i kushtojë shtrenjtë buxhetit të shtetit shqiptar. Përveç dëmshpërblimit prej 110 milionë eurosh të vendosur nga arbitrazhi ndërkombëtar, qytetarët shqiptarë kanë paguar edhe miliona euro të tjera vetëm për mbrojtjen ligjore të qeverisë.

Dokumentet e Ministrisë së Financave tregojnë se fatura për studiot avokatore që kanë përfaqësuar Shqipërinë në proceset e arbitrazhit ka arritur në 10.26 milionë euro. Deri tani janë likuiduar rreth 6 milionë euro, ndërsa mbeten për t’u paguar edhe 4.2 milionë euro të tjera. Këto shpenzime nuk përfshijnë dënimin prej 110 milionë eurosh që Gjykata e Arbitrazhit i ka dhënë biznesmenit Francesco Becchetti, duke e bërë koston totale të kësaj çështjeje edhe më të rëndë për financat publike.

Dështojnë përpjekjet për rrëzimin e vendimit Qeveria shqiptare ka ndërmarrë disa përpjekje për të kundërshtuar vendimin e arbitrazhit në gjykata të ndryshme ndërkombëtare, por deri më tani pa sukses. Rasti më i fundit u regjistrua muajin e kaluar në Francë, ku Gjykata e Apelit e Parisit refuzoi kërkesën e Shqipërisë për anulimin e vendimit arbitral, duke argumentuar se nuk kishte juridiksion për të rrëzuar një vendim të tillë.

Të ardhurat nga hapësira ajrore mbeten të bllokuara Ndërkohë, konflikti ka prodhuar pasoja edhe mbi të ardhurat e shtetit nga hapësira ajrore. Sipas të dhënave të Albcontrol, deri në fund të vitit 2024 janë bllokuar në Bruksel rreth 13.7 miliardë lekë, ose afërsisht 145 milionë euro, që i përkasin të ardhurave nga tarifat e fluturimeve. Statusi përfundimtar i këtyre fondeve mbetet i paqartë.

Disa media ndërkombëtare kanë raportuar se përmbaruesit e Francesco Becchettit kanë arritur t’i konfiskojnë ato, ndërsa qeveria shqiptare këmbëngul se fondet vetëm sa janë të bllokuara dhe nuk janë transferuar.

Mbi 70 milionë euro për të shpëtuar Albcontrol-in Për shkak të bllokimit të të ardhurave, shteti është detyruar të ndërhyjë financiarisht për të mbështetur Albcontrol-in. Deri më tani, sipas të dhënave zyrtare, mbi 70 milionë euro nga fondet publike janë përdorur për të shmangur falimentimin e shoqërisë shtetërore. Fillimisht këto fonde u dhanë në formën e një huaje nga qeveria, por më vonë u shndërruan në transfertë kapitale të veçantë nga fondi i investimeve, duke e kaluar barrën përfundimtare mbi buxhetin e shtetit.

Në total, çështja Becchetti vazhdon të përfaqësojë një nga konfliktet më të kushtueshme ligjore për shtetin shqiptar, me një faturë që përfshin dëmshpërblimin e arbitrazhit, miliona euro për mbrojtjen ligjore, bllokimin e të ardhurave nga hapësira ajrore dhe dhjetëra miliona euro të tjera të injektuara nga buxheti për mbështetjen e Albcontrol-it. /Kapitali.al

Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

Back To Top