Nga Redaksia – Një nga investimet më të debatuara të viteve të fundit në sektorin e energjisë vijon të rëndojë financat publike. Bëhet fjalë për TEC-et lundruese të vendosura në zonën e Triportit në Vlorë, të cilat u morën me qira me synimin për të përballuar krizën energjetike, por që deri më sot kanë prodhuar shumë pak ose aspak energji elektrike.
Pavarësisht mungesës së prodhimit, kostot për buxhetin e shtetit vazhdojnë të rriten. Përveç pagesave të qirasë, shteti mbulon edhe shpenzime të tjera të konsiderueshme, si mirëmbajtja, sigurimet, karburanti dhe personeli, ndërsa anijet kanë nisur të shfaqin edhe problemet e para teknike.
Në vend që kjo çështje të ishte objekt i një analize të thelluar mbi efektivitetin e investimit, Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) ka hapur një tjetër procedurë me vlerë të lartë financiare.
Tender i ri me fond limit rreth 20 milionë euro
Sipas dokumenteve të siguruara nga Vox News, KESH, nën drejtimin e Viola Haxhiademit, ka çelur një procedurë prokurimi me objekt “Operim dhe mirëmbajtje e asetit gjenerues termik, Vlorë”.
Fondi limit i këtij tenderi është 1.892.000.000 lekë, ose rreth 20,2 milionë euro, ndërsa procedura është shpallur si tender i hapur mbi kufirin e lartë monetar.

Sipas dokumentacionit të tenderit, fondi nuk lidhet me prodhimin e energjisë, por me operimin dhe mirëmbajtjen e TEC-eve lundruese, të cilat vijojnë të jenë me qira dhe për të cilat paguhen çdo muaj shuma të konsiderueshme.
Dy TEC-e që kushtojnë miliona, ndërsa një i tretë mbetet i fikur
Paradoksi bëhet edhe më i madh nga fakti se, vetëm pak kilometra larg Triportit, ndodhet TEC-i i Vlorës, një investim publik që ka kushtuar rreth 130 milionë euro, por që prej vitesh vazhdon të jetë i konservuar dhe jashtë funksionit.
Kështu, ndërsa shteti vazhdon të paguajë për mirëmbajtjen e TEC-it në tokë, njëkohësisht shpenzon dhjetëra milionë euro edhe për TEC-et lundruese, të cilat deri më tani nuk kanë dhënë rezultatin për të cilin u kontraktuan.
Kostoja totale e kësaj skeme vazhdon të rëndojë mbi financat publike, ndërsa mbeten ende pikëpyetje mbi efektivitetin ekonomik të investimit dhe mënyrën se si do të justifikohen shpenzimet e reja prej rreth 20 milionë eurosh vetëm për operim dhe mirëmbajtje. /Voxnews
Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

