Nga Redaksia – Protestat qytetare që kanë nisur po konsiderohet nga shumë pjesëmarrës si një prej mobilizimeve më të gjera të shqiptarëve në dekadat e fundit. Për herë të parë pas shumë vitesh, qytetarë me bindje të ndryshme politike janë bashkuar rreth disa kërkesave të përbashkëta, duke e zhvendosur fokusin nga partitë tek pakënaqësia ndaj mënyrës së qeverisjes.
Megjithatë, ndërsa protesta hyn në ditën e saj të 44, lind një pyetje thelbësore: A rrezikon ajo të pësojë të njëjtin fat si protesta për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, e cila megjithëse zgjati për muaj të tërë, nuk arriti të realizonte objektivat e saj?
Çdo protestë ka nevojë për një strategji. Dalja çdo ditë në shesh dhe mbajtja e fjalimeve mund të shërbejë për të mbajtur gjallë frymën e rezistencës, por vështirë se mjafton për të prodhuar presion real politik nëse nuk shoqërohet me hapa të tjerë organizativë.
Organizatorët kanë artikuluar pesë kërkesa kryesore ndaj qeverisë. Megjithatë, deri tani nuk është bërë e qartë se cili është plani nëse këto kërkesa nuk merren parasysh. Çfarë ndodh pas javëve të protestës? Cili është hapi i radhës? A ekziston një strategji për përshkallëzimin e reagimit qytetar?
Një tjetër pikëpyetje lidhet me muajt korrik dhe gusht. Tradicionalisht, gjatë kësaj periudhe aktiviteti institucional ngadalësohet për shkak të pushimeve verore, ndërsa shumë qytetarë largohen nga Tirana ose emigrojnë përkohësisht. Nëse administrata është me pushime dhe institucionet funksionojnë me ritëm të reduktuar, ndaj kujt do të ushtrohet presioni i protestës?
Historia e tranzicionit shqiptar ka treguar se protestat e gjata, pa objektiva të ndërmjetëm dhe pa zhvillime konkrete, rrezikojnë të humbasin energjinë fillestare. Pjesëmarrësit lodhen fizikisht dhe psikologjikisht, ndërsa mungesa e rezultateve krijon zhgënjim.
Një pjesë e qytetarëve tashmë shtrojnë pyetjen nëse protesta duhet të vazhdojë vetëm me marshime dhe fjalime, apo nëse ka ardhur momenti për një organizim më të strukturuar, me përfaqësim, koordinim dhe një plan të qartë veprimi.
Debati është shtrirë edhe tek nisma për krijimin e një Kuvendi Qytetar. Disa e mbështesin si një hap drejt organizimit, ndërsa të tjerë kanë zgjedhur ta bojkotojnë ose ta kritikojnë, duke pretenduar se nuk janë përfshirë në proces. Por përtej debateve personale, sfida kryesore mbetet ruajtja e unitetit të protestës.
Nëse energjia qytetare shpërndahet në përplasje të brendshme, ekziston rreziku që protesta të humbasë fokusin dhe të krijojë hapësirë për rikthimin e ndikimit të aktorëve tradicionalë politikë.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama nuk duket se po përballet me një presion politik që ta detyrojë të ndryshojë kursin. Pretendimet se qeveria po dobësohet mbeten më shumë pjesë e retorikës politike sesa një realitet i dukshëm në terren.
Pikërisht për këtë arsye, shumë qytetarë mendojnë se protesta ka nevojë për më shumë organizim, koordinim dhe objektiva të matshëm. Pa një strategji afatshkurtër dhe afatmesme, ekziston rreziku që mobilizimi aktual të shuhet gradualisht, duke lënë pas vetëm zhgënjim.
Historia politike shqiptare ka treguar se energjia qytetare nuk mungon. Sfida ka qenë gjithmonë transformimi i saj në rezultate konkrete. Nëse kjo protestë do të arrijë ta bëjë këtë apo do të përfundojë si shumë lëvizje të tjera të viteve të fundit, mbetet një pyetje që javët në vijim do t’i japin përgjigje.
Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

