Nga Redaksia – Në ceremoninë e inaugurimit të Shkollës Kombëtare të Fluturimit, kryeministri Edi Rama njoftoi se qeveria është në diskutime për krijimin e Shkollës Kombëtare të Forcave Speciale, e cila sipas tij do të ndërtohet në bashkëpunim me ekspertë izraelitë.
Sipas Ramës, projekti synon të krijojë një qendër rajonale ekselence për trajnimin, edukimin dhe certifikimin e forcave speciale, e hapur edhe për kadetë nga vendet aleate, duke përfshirë Kosovën.
“Jemi në diskutime me partnerët tanë për të sjellë një nga ekselencat botërore të stërvitjes, trajnimit, edukimit e certifikimit të forcave speciale nga Izraeli… Ambicia jonë është që këto pole të reja të transformimit të sistemit të mbrojtjes të kthehen në pole ekselence përtej kufijve tanë.”
Deklarata e Ramës ka ngjallur reagime dhe debat në opinionin publik. Kritikët shprehin shqetësime për përfshirjen e ekspertëve izraelitë në trajnimin e forcave speciale shqiptare, duke kërkuar transparencë të plotë mbi marrëveshjet, objektivat dhe mënyrën se si do të funksionojë kjo shkollë.
Sipas ekspertëve ushtarak, ngritja e një strukture të tillë me asistencë të huaj ngre disa pyetje thelbësore:
- Kush do ta drejtojë realisht këtë shkollë?
- Çfarë roli do të kenë ekspertët e huaj?
- Për çfarë misionesh do të trajnohen këto forca?
- Kush garanton që këto kapacitete nuk do të përdoren për qëllime politike të brendshme?
Në një shtet demokratik, forcat e sigurisë duhet t’i shërbejnë Kushtetutës dhe qytetarëve, jo interesave të një qeverie apo një partie politike. Për këtë arsye, çdo reformë në sektorin e sigurisë duhet të shoqërohet me transparencë, mbikëqyrje institucionale dhe debat publik.
Shumë qytetarë dhe analistë kërkojnë që qeveria të sqarojë në detaje marrëveshjen, koston, kompetencat dhe kufijtë e bashkëpunimit me ekspertët izraelitë, në mënyrë që të shmangen keqkuptimet dhe të ruhet besimi i publikut.
PatriotikMedia.al do të vazhdojë të ndjekë këtë çështje dhe të raportojë mbi çdo zhvillim, duke kërkuar transparencë dhe llogaridhënie nga institucionet përgjegjëse.
Ndalohet kopjimi Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

