Edhe sa mandate i duhen Edi Ramës për të mbajtur premtimet?

Nga Redaksia – Kanë kaluar më shumë se një dekadë që kur Edi Rama mori pushtetin me premtimin për një “Rilindje” të Shqipërisë. Shqiptarëve iu premtua shtet modern, mirëqenie, drejtësi dhe standarde europiane. Sot, pas viteve të gjata në qeverisje, pyetja që shtrohet natyrshëm është: sa mandate të tjera i duhen Edi Ramës për të realizuar ato që premtoi?

Sa mandate i duhen për të siguruar ujë të pijshëm pa ndërprerje për qytetarët? Sa mandate i duhen për të garantuar energji elektrike pa problematika dhe pa faturat që rëndojnë mbi familjet shqiptare?

Sa mandate i duhen për të dhënë përgjigje për aferën e inceneratorëve, një nga skandalet më të mëdha financiare të viteve të fundit, ku miliona euro të taksave të shqiptarëve janë shpenzuar mes akuzave për korrupsion dhe abuzim?

Sa mandate i duhen për të nxjerrë pensionistët nga varfëria? Të moshuarit që ndërtuan këtë vend vazhdojnë të jetojnë me pensione që shpesh nuk mjaftojnë as për ilaçet dhe shpenzimet bazë të jetesës.

Sa mandate i duhen për të rritur pensionet në nivelin që meritojnë qytetarët shqiptarë? Sa mandate i duhen për të ndalur largimin masiv të të rinjve që shohin emigracionin si të vetmen shpresë?

Sa mandate i duhen për të rregulluar rrugët e Shqipërisë, ku në shumë zona mungon sinjalistika, siguria dhe standardet europiane që përmenden çdo ditë në propagandën qeveritare?

Sa mandate i duhen për të zgjidhur përfundimisht çështjen e pronave, një problem që vazhdon të prodhojë konflikte dhe padrejtësi për mijëra familje shqiptare?

Sa mandate i duhen për të përfunduar procesin e legalizimeve, që prej vitesh përdoret si premtim elektoral, ndërsa mijëra qytetarë vazhdojnë të presin dokumentet e pronësisë?

Sa mandate i duhen për të transformuar spitalet shqiptare në institucione me standarde europiane, me ilaçe, pajisje dhe shërbime cilësore për pacientët?

Dhe mbi të gjitha, sa mandate i duhen për të vendosur drejtësi për ngjarje që kanë tronditur shoqërinë shqiptare?

Për vite me radhë, opozita e atëhershme e drejtuar nga Edi Rama e përdori tragjedinë e 21 Janarit si simbol të luftës për drejtësi. U premtua se e vërteta do të dilte deri në fund dhe se përgjegjësit do të mbaheshin përgjegjës. Por pas më shumë se një dekade në pushtet, shumë qytetarë vazhdojnë të pyesin: ku është drejtësia e plotë që u premtua për 21 Janarin?

Po ashtu, sa mandate i duhen që efektivët e Policisë së Shtetit të trajtohen me dinjitet dhe respekt? Shumë policë ankohen për kushte pune, paga dhe trajtim që nuk përputhen me përgjegjësitë që mbajnë.

Në çdo fushatë elektorale dëgjohen premtime të reja, projekte të reja dhe objektiva të reja. Por qytetarët kanë të drejtë të pyesin pse shumë prej premtimeve të vjetra ende nuk janë realizuar.

Pas kaq vitesh në pushtet, nuk mungon koha, nuk mungojnë institucionet dhe nuk mungojnë kompetencat. Ajo që mungon është përgjigjja për rezultatet konkrete.

Prandaj sot pyetja nuk është më se çfarë do të premtojë Edi Rama nesër.

Pyetja është: sa mandate të tjera i duhen për të mbajtur premtimet që u bëri shqiptarëve dje?

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *