Nga Redaksia – Ish-këshilltari për Sigurinë Kombëtare në administratën e parë të Donald Trump, John Bolton, ka arritur një marrëveshje me prokurorët federalë amerikanë pasi u akuzua për keqmenaxhim dhe mbajtje të paligjshme të dokumenteve sensitive të sigurisë kombëtare.
Sipas mediave amerikane, Bolton pritet të deklarohet fajtor për një akuzë të vetme që lidhet me ruajtjen e paligjshme të materialeve sekrete, ndërsa ka pranuar gjithashtu të paguajë një gjobë që tejkalon shumën prej 2 milionë dollarësh. Dënimi për këtë vepër mund të shkojë nga zero deri në 60 muaj burg.
Hetimet lidhen me ditarët personalë dhe shënimet që Bolton kishte mbajtur gjatë kohës kur shërbente si Këshilltar për Sigurinë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë. Prokurorët pretendojnë se këto materiale përmbanin informacione tepër sekrete dhe se ai i kishte ruajtur në banesën e tij private në mënyrë të papërshtatshme.
Fillimisht, Bolton përballej me 18 akuza federale, ku përfshiheshin tetë akuza për transmetim të informacionit të mbrojtjes kombëtare dhe dhjetë akuza për mbajtje të paligjshme të këtyre dokumenteve. Marrëveshja e fundit redukton të gjitha këto në një deklarim të vetëm fajësie.
Sipas aktakuzës, Bolton dyshohet se kishte dërguar përmes emailit personal më shumë se një mijë faqe informacioni mbi aktivitetet e tij të përditshme tek dy persona të paautorizuar. Megjithatë, pjesa që lidhet me transmetimin e informacionit të klasifikuar nuk është përfshirë në marrëveshjen aktuale të fajësisë.
Hetimi federal nisi pasi emaili personal i Bolton u komprometua nga hakerë të dyshuar iranianë gjatë presidencës së Joe Biden. Pikërisht aty autoritetet zbuluan ekzistencën e shënimeve të ndjeshme dhe dokumenteve të ruajtura jashtë protokolleve zyrtare të sigurisë.
Seanca gjyqësore është planifikuar të mbahet më 26 qershor, ndërsa rasti po shihet si një tjetër episod që ekspozon mënyrën sesi figura të larta të establishmentit amerikan kanë trajtuar informacionet sekrete shtetërore.
Donald Trump kishte kërkuar prej kohësh arrestimin e Bolton, duke e akuzuar se kishte përdorur materiale të klasifikuara edhe në librin e tij të vitit 2020, ku sulmonte ish-presidentin amerikan dhe administratën republikane.
Çështja pritet të ndezë sërish debatet politike në SHBA mbi standardet e dyfishta në trajtimin e dokumenteve sekrete dhe mënyrën sesi drejtësia federale vepron ndaj figurave të njohura politike.
Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.
