Vuçiqi në tronditje – Serbia shpërthen në protesta masive dhe skandale mafioze …

Nga Redaksia – Regjimi i presidentit serb Aleksandar Vučić po përballet me një nga momentet më të vështira të viteve të fundit, ndërsa rrugët e Beogradit janë pushtuar nga protesta të mëdha studentore, përplasje me policinë dhe akuza të rënda që lidhin shtetin me krimin e organizuar.

Mijëra qytetarë dolën në qendër të Beogradit për të protestuar kundër qeverisë së Vuçiqit, duke kërkuar largimin e tij nga pushteti dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme. Organizatorët pretendojnë se në protestë kanë marrë pjesë rreth 100 mijë demonstrues, ndërsa policia ka dhënë shifra shumë më të ulëta, duke u përpjekur të minimizojë përmasat e revoltës popullore.

Pas tubimit situata degradoi në dhunë, ku disa grupe protestuesish u përplasën me forcat speciale të policisë. Nga incidentet raportohet për të lënduar në të dyja palët, ndërsa të paktën 23 persona janë arrestuar nga autoritetet serbe.

Studentët dhe qytetarët akuzojnë regjimin e Vuçiqit për autoritarizëm, korrupsion dhe kontroll total të institucioneve shtetërore. Ata thonë se Serbia po zhytet gjithnjë e më shumë në krizë politike dhe sociale, ndërsa opozita po kërkon mobilizim të përgjithshëm kundër pushtetit aktual.

Por trazirat politike nuk janë problemi i vetëm për presidentin serb. Një skandal mafioz ka tronditur opinionin publik në Serbi, pas zbulimit të një vrasjeje makabre që ka nxjerrë në pah lidhjet e errëta mes policisë dhe qarqeve kriminale.

Sipas mediave serbe, një person i njohur për botën e krimit është ekzekutuar në mënyrë brutale në Beograd. Pas vrasjes, trupi i tij është futur në një fuçi, është betonuar dhe më pas është fshehur në një gropë, në përpjekje për të zhdukur çdo gjurmë të krimit. Megjithatë, autoritetet arritën ta zbulojnë trupin pas disa ditësh.

Në këtë ngjarje të rëndë dyshohet të jetë i përfshirë edhe shefi i policisë së Beogradit, një person që më parë ka shërbyer edhe si këshilltar i afërt i Vuçiqit. Hetimet paraprake flasin për përfshirje të mundshme edhe të policëve të tjerë, duke nxjerrë në pah infiltrimin e thellë të krimit brenda strukturave shtetërore serbe.

Ky skandal ka shtuar zemërimin e qytetarëve dhe ka forcuar bindjen e protestuesve se Serbia po drejtohet nga një sistem i kapur nga korrupsioni, mafia dhe interesat politike.

Ndërsa protesta vazhdojnë dhe presioni ndaj pushtetit rritet çdo ditë, shumë analistë në rajon po paralajmërojnë se Vuçiqi mund të përballet me krizën më të madhe politike të karrierës së tij.

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *