Nga Redi Minga
Prej vitesh, shqiptarët janë bombarduar me një fjalor të qëllimshëm mediatik dhe politik: “banda”, “krim i organizuar”, “trafik ndërkombëtar”, “vrasje mafioze”.
Kjo retorikë, e servirur si realitet i pakundërshtueshëm, nuk është gjë tjetër veçse një propagandë e stisur me mjeshtëri nga makineria e Rilindjes dhe servilët mediatikë të kapur në çdo cep të informacionit publik.
Në të vërtetë, Shqipëria nuk ka banda, në kuptimin klasik të strukturave të pavarura kriminale që sfidojnë shtetin. Shqipëria ka vetëm një formë të vetme të krimit të organizuar: atë që është i përfshirë, i mbrojtur dhe i përdorur nga vetë shteti. Pra, një mafie shtetërore, e cila kontrollon jo vetëm institucionet, por edhe opozitën dhe shumicën e mediave.
- Mungesa e bandave të vërteta – prova që shteti nuk ka rivalë në krim
Në çdo vend ku ekziston një krim i organizuar real, bandat përplasen me shtetin, sfidojnë strukturat e rendit, krijojnë territore të kontrolluara dhe ndonjëherë i shpallin luftë hapur sistemit. Nëse Shqipëria do të kishte një krim të tillë, siç përpiqet të portretizojë propaganda e Rilindjes, vendit do t’i mungonte rendi publik, policia do të ishte e terrorizuar, dhe askush nuk do të guxonte të fliste lirshëm.
Por në realitet, çdo “bandë” që përmendet në media është thjesht një krijesë e mediave të kontrolluara, që shërben për të krijuar psikozë te qytetarët, që më pas të pranojnë represionin shtetëror si “luftë ndaj krimit”. Këto banda nuk shfaqen asnjëherë me simbole, me pushtet të pavarur, apo me akte të guximshme publike kundër qeverisë. Janë vegla të përdorura nga shteti për të justifikuar kapjen e mëtejshme të pushtetit.
- Propaganda mediatike: arma kryesore e mafies shtetërore
Kujtoni çdo edicion lajmesh pas një ngjarjeje kriminale: fjalët që përdoren janë gjithmonë të njëjta – “përplasje mes bandave”, “larje hesapesh mafioze”, “grupe kriminale në përplasje” – por nuk jepen kurrë prova reale, dokumente hetimore, apo lidhje të qarta. Fjalë bosh që mbushin hapësirën publike me frikë.
Në vend të gazetarisë së mirëfilltë, kemi një trupë analistësh të trembur ose të paguar, që riciklojnë të njëjtat teza me fjalor të përgatitur nga zyrat e pushtetit. Këta nuk analizojnë, por kryejnë terror psikologjik ndaj qytetarëve, duke i bërë të besojnë se janë të rrethuar nga krimi dhe se shpëtimi i vetëm është një dorë e fortë – dora e atij që e ka krijuar gjithë këtë panik.
- Opozita si bashkëpunëtore e heshtur e mafies shtetërore
Në çdo vend demokratik, opozita do të denonconte këtë marrëzi propagandistike. Por në Shqipëri, opozita është ose e blerë, ose e trembur. Me disa përjashtime të rralla, shumica e figurave opozitare janë pjesë e së njëjtës loje të heshtur, ku çdo akuzë ndaj “bandave” shërben për të forcuar narrativën e rendit dhe ligjit që administrata aktuale përdor për të fituar besueshmëri tek ndërkombëtarët.
- Krimet ordinere – pjesë e realitetit europian, jo shenjë e mafies
Le ta themi troç: krimet që ndodhin në Shqipëri janë ordinere. Ato ndodhin gjithandej në Evropë: konflikte personale, hakmarrje, grindje për borxhe apo lidhje sentimentale. Asgjë e jashtëzakonshme. Çdo vend i BE-së ka statistika të tilla. Por në Shqipëri, çdo krim i tillë paraqitet si “krim mafioz”, për të trembur popullin dhe për të larguar vëmendjen nga vjedhjet e mëdha që ndodhin në nivelet më të larta të pushtetit.
Kur krimi është vetë pushteti, çdo kritikë ndaj tij quhet konspiracion
Për të gjithë ata që ende nuk e kuptojnë realitetin: krimi i organizuar i vërtetë në Shqipëri është i ulur në zyrat e shtetit. Ai vesh kostum, flet për reforma dhe paraqitet si shpëtimtar, por në thelb është struktura më e sofistikuar mafioze që ka njohur ndonjëherë vendi.
Qytetarët nuk duhet të bien më pre e kësaj propagande mafioze të Rilindjes dhe media-servilëve të saj. Frika që injektohet çdo ditë është armë për t’ju mbajtur të nënshtruar. Duhet të kuptojmë se nuk janë bandat që na sundojnë, por një elitë e korruptuar që ka uzurpuar shtetin.
Dhe këtë të vërtetë duhet ta themi me zë të lartë. Sepse kur heshtim, krimi fiton.
Redi Minga është analist i pavarur dhe bashkëpunëtor i PatriotikMedia.al për çështjet e rendit, propagandës politike dhe sigurisë publike.
Ndalohet kopjimi dhe shpërndarja pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.