Fermerët në protestë: Duam subvencione nafte, jo çmime të ngritura – Rama tallet i përcjell me “lugën bosh” …

Nga Redaksia – Shoqata “Blegtorët Prodhues të Qumështit” dhe fermerë nga mbarë vendi dolën sot në protestë për gati 4 orë para Ministrisë së Bujqësisë, duke kundërshtuar Skemën e re Kombëtare të Bujqësisë 2026.

Me pankarta që thërrisnin: “Stop importit të qumështit”“Formalizoni tregun e bulmetit”“Bojkotoni firmat serbe” dhe “Duam subvencione nafte si jahtet”, fermerët kërkuan mbështetje reale për prodhimin vendas dhe subvencionim të naftës, ndërkohë që qeveria ka ngritur çmimin e saj.

“Skema nuk na mbështet, kostot janë të larta. Skema 2026 nuk ishte ajo që u diskutua me ne. Të na subvencionohet nafta. Të rritet mbështetja për blegtorinë, të bllokohet importi që na konkurron”, shprehen ata.

Fermerët kërkuan heqjen e naftës pa taksa, rishikim të financimit për viçat dhe krijimin e laboratorëve për sigurinë e produkteve.

“Kërkojmë subvencione si gjithë rajoni. Kemi 7-8 herë më pak se fqinjët. Me kë duhet të konkurrojmë ne? Duam naftë pa taksa ose të bëjë qeveria një rregullim për taksën e qarkullimit”, thanë protestuesit.

Sektori po përballet me vështirësi të mëdha për shkak të rritjes së çmimeve të naftës dhe plehrave kimike, gjë që rrezikon prodhimin bujqësor dhe blegtoral:

“Nuk prodhohet asgjë në këtë vend me 230 lekë/naftë. Ne kemi fikur traktorët sepse nuk e mbulojmë dot koston. Jemi në pikë të hallit. S’kemi ardhur për qejf, as për të bërë shfaqje, as për militantë partie”, shprehen fermerët.

Një përfaqësi prej 10 protestuesish u pritën nga ministri i Bujqësisë, Andis Salla, dhe ministri i Financave, Petrit Malaj, por takimi përfundoi pa dakordësi konkrete. Malaj deklaroi se ishte ulur akciza me 20%, duke lënë fermerët të pakënaqur. Salla premtoi rishikim të skemës në shtator, pas mbylljes së bilancit të gjashtëmujorit dhe kontrollesh në doganë për produktet e huaja, por fermerët e kundërshtuan këtë vonesë.

“Financimi duhet të jepet tani, ose do falimentojmë!”, thanë ata me ton të ashpër.

Skema e re sjell disa lehtësira: për të marrë mbështetje nga shteti, numri minimal i krerëve të lopëve bie nga 10 në 5, ndërsa financimi rritet nga 10 mijë në 12 mijë lekë për kokë. Ndërkohë, për delet dhe dhitë, numri i krerëve përgjysmohet dhe mbështetja rritet nga 1,200 lekë në 1,500 lekë. Edhe bletët përfitojnë dyfishim financimi, nga 1,000 në 2,000 lekë për zgjua.

Megjithatë, fermerët shprehen se këto lehtësira janë të pamjaftueshme për të përballuar çmimet e larta të naftës dhe inputeve bujqësore, duke e lënë prodhimin vendas në rrezik të madh.

“Nafta duhet të jetë pa taksa! Nuk mund të konkurrojmë me importet dhe firmat që na shkelin tregun”, përfunduan protestuesit.

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *