Nga Redi Minga:
Në diskursin e përditshëm politik në Shqipëri, shpesh dëgjojmë akuza të forta ndaj figurave të caktuara si “tradhtarë të kombit”. Emra si Edi Rama apo Sali Berisha përmenden vazhdimisht në këtë kontekst. Por ndoshta pyetja më e dhimbshme që duhet të shtrojmë është: a është faji vetëm i tyre?
Apo kemi të bëjmë me një krizë më të thellë, një krizë ndërgjegjeje kombëtare?
Zëri në rrjete dhe heshtja në realitet
Sot, çdo shqiptar është “luftëtar” në rrjetet sociale. Çdo ditë shohim reagime të forta, akuza, mallkime dhe shpërthime emocionale. Por kur vjen momenti i veprimit real – kur kërkohet prania në shesh, zëri qytetar dhe qëndresa – shumica mungon.
Një pjesë e madhe e shoqërisë duket se lëviz vetëm kur e thërret partia. Dhe kjo është tragjedia më e madhe: qytetaria është zëvendësuar me militantizëm.
Frika që shndërrohet në dorëzim
Nëse një qeveri arrin të kontrollojë çdo hallkë të shtetit, të ndryshojë ligje sipas interesit të saj dhe të mos përballet me rezistencë reale, atëherë problemi nuk është vetëm tek pushteti.
Problemi është tek frika e qytetarëve.
Frika për vendin e punës.
Frika për pronën.
Frika për jetën e përditshme.
Kjo frikë, kur bëhet kolektive, shndërrohet në dorëzim.
Ulërima në Facebook, heshtje në rrugë
Të gjithë dimë të bëjmë status.
Të gjithë dimë të shajmë, të mallkojmë, të bëjmë patriotin pas ekranit.
Por kur vjen momenti të dalim në shesh?
Askush.
Sepse presim thirrjen e partisë.
Sepse jemi bërë skllevër politikë.
Sepse nuk kemi më guxim si popull.
Frikë dhe nënshtrim
E lamë të ndryshojë ligjet.
E lamë të kontrollojë drejtësinë.
E lamë të sillet me Shqipërinë si me një pronë personale.
Dhe çfarë bëjmë ne?
Shajmë në Facebook disa ore, dhe kthejmë kurrizin për gjume.
Tradhtia jonë
Po, tradhtar jemi vete ne sepse:
- e lejuam të na shkatërrojë vendin
- e lejuam të prekë pronën tonë
- e lejuam të na varfërojë
- e lejuam të na shkatërrojë arsimin dhe shëndetësinë
- e lejuam të na trajtojë si skllevër
- e lejuam të na shpërngulë nga vendi ynë
Dhe mbi të gjitha… e lejuam sepse heshtëm.
Politika tallet, e populli fle
Ndërkohë, politika bën lojën e saj. Protestat përdoren, shfrytëzohen, shuhen.
Dhe ne? Ne presim të na thërrasin. Presim të na japin “leje” për të protestuar. Presim të na përdorin.
E vërteta që na dhemb
Nuk është as Edi Rama dhe as Sali Berisha problemi kryesor.
Problemi është një popull që është mësuar të durojë. Një popull që ka frikë. Një popull që flet shumë… por nuk vepron.
Shqipëria nuk po humbet vetëm nga politika. Shqipëria po humbet sepse ne po e lëmë të humbasë.
Nuk është Rama tradhtar. Tradhtar jemi ne.
Sepse ne jemi ata që po e lëmë Shqipërinë të bjerë në duart e Ramës dhe Berishës që do ta përdornin për pushtet, për para dhe për interesa të huaja.
Dhe kjo është tradhtia më e madhe që po i bëjmë Atdheut tonë.
