Nga Sebastian Zonja
Ndërsa shumë politikanë dhe analistë flasin për strategji globale, realiteti shpesh fshihet pas logjistikës dhe fuqisë reale në terren. Amerikanët po ndërmarrin në Iran atë që Evropa do të kishte bërë pas 15 vjetësh – jo për protagonizëm, por për të ruajtur stabilitetin rajonal dhe për të parandaluar fuqizimin e papeshuar të Teheranit. Sa më shumë të fuqizohej Irani, aq më shumë destabilitet do të sillte në Lindjen e Mesme. Kjo nuk është abstrakte: është natyra e shteteve që, sapo fitojnë fuqi, kërkojnë ta projektojnë atë jashtë kufijve të tyre.
Evropa, megjithëse gjigant ekonomik, mbetet xhuxh ushtarak. Strategjia e saj shpesh është financimi indirekt: euro për Turqinë, Izraelin dhe vendet e gadishullit arabik, që të bëjnë “luftën e tyre”. Lindja e Mesme nuk është larg; ajo është pranë, jo në skaj të globit.
Historia na ka dhënë mësime të qarta. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur Gjermania naziste armatoste maksimalisht ushtrinë e saj, Franca, Britania dhe Bashkimi Sovjetik e dinin që konflikti ishte i pashmangshëm. Çfarë bënin? Negocionin se cili do të hynte në luftë dhe si do të ndihmonin të tjerët me armatim dhe para. Rezultati: Franca ra e para, Britania luftoi, Bashkimi Sovjetik shpenzoi gjakun e popullit dhe më pas mori pjesën e vet të fitoreve. Evropa, pas gjithë kësaj, u dobësua; Amerika mori stafetën e fuqisë globale.
Sot, SHBA po ndërton projeksione sigurie dhe fuqie globale, ndërsa Evropa duket pasive. Pas një konflikti të kontrolluar, Turqia dalë fuqi mesdhetare, Izraeli fiton besueshmëri si fuqi rajonale, ndërsa vendet europiane duket se zhduken kur bëhet fjalë për fatet e rrugëve kryesore energjetike. Një Iran më i dobët është një Rusi më e dobët përballë Ukrainës, një Kinë më e dobët përballë Amerikës.
Strategjitë janë të ndryshme, por ajo që i përcakton ato është logjistika. Ndaj është thelbësore të shohim sesi ndërpriten zinxhirët e furnizimit dhe si ndalen diktatorët. Historia jonë me Bashkimin Sovjetik e ka treguar qartë: rrugë të gabuara sollën burgje, internime dhe dëbime masive. Sot, Shqipëria kërkon të ecë krah për krah me aleatët amerikanë dhe evropianë drejt një demokracie më të fortë dhe më të qëndrueshme.
