Përse Albin Kurti i trembet zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë?

Nga Redaksia:

Albin Kurti, pas fitores së tij të fundit në zgjedhje, deklaroi me krenari se partia e tij ishte fitimtare, megjithëse me një përqindje shumë të ulët të votave. Sot, kryeministri i Kosovës duket se po shmang ballafaqimin me qytetarët, duke i lënë vendin gjykatës kushtetuese për të vendosur nëse vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të reja apo jo.

“Dekreti për shpërndarjen e Kuvendit nuk është kushtetues sepse kompetenca për shpërndarjen e Kuvendit mund të ushtrohet vetëm në rastet e paracaktuara shprehimisht nga Kushtetuta”, ka deklaruar Kurti, duke tentuar të hedhe përgjegjësinë larg vetes.

Kryeministri i VV-së fajësoi gjithashtu opozitën për mungesën në seancën e zgjedhjes së presidentit, duke iu referuar veçanërisht Listës Serbe, që sipas tij vepron nën ndikimin e Beogradit:

“Ky proces nuk arriti ta konsumojë as raundin e parë meqë mungoi opozita dhe partia që dirigjohet nga Beogradi, lista Serbe. Të gjithë e keni parë pamjen e seancës, kush ishte, ishte në qendër, kush nuk ishte në qendër, nuk ishte fare… Asnjë deputet që mungoi, nuk e njoftoi kryetaren e Kuvendit. Ndodhemi në një situatë kur nuk mund të flasim për zgjedhje të reja pa e thënë fjalën e vet gjykata kushtetuese.”

Ndërkohë, Kurti ka shmangur takimin e thirrur nga Vjosa Osmani për të diskutuar datën e zgjedhjeve, një veprim që shumë analistë e shohin si frikë përballë zgjedhjeve të parakohshme. Vetëvendosje ka paralajmëruar se do ta çojë vendimin e Osmanit në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa kryeparlamentarja ka kërkuar pezullimin e afateve kushtetuese, për të garantuar zgjedhjen e presidentit brenda 60 ditësh.

Por ajo që Kurti duket të harrojë është fakti se fitorja e tij gjysmake në zgjedhjet e fundit nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen e Vjosa Osmanit, një realitet që duket se ai po mundohet të minimizojë sot.

Analistët politikë vënë re një kontradiktë të qartë: një kryeministër që feston fitore me përqindje të ulët të votave, por që sot shmang zgjedhjet e reja dhe refuzon të marrë pjesë në diskutime për datën e tyre. Kjo lë një pyetje të hapur për qytetarët e Kosovës: a ka frikë Kurti nga reflektimi real i votës së popullit?

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *