Nga Redaksia:
Tension dhe revoltë në Baks-Rrjoll të Velipojës. Banorët e zonës janë përplasur me forcat e shumta të policisë këtë të martë, pasi tentuan të hyjnë në tokat që pretendojnë si pronë të tyre, menjëherë pas një vendimi të formës së prerë nga Gjykata e Apelit në Tiranë.
Sipas vendimit të Apelit, familja Malaj njihet si pronare e ligjshme e sipërfaqes së tokës në fjalë. Por në terren, realiteti duket ndryshe: kordonë policorë, fadroma në punë dhe banorë të revoltuar që kërkojnë zbatimin e vendimit të gjykatës.
“Jemi në tokë tonë, do t’i bllokojmë fadromat për arsye se ka dalë toka jonë”, janë shprehur protestuesit, të cilët në disa momente arritën të ndalojnë punimet e firmës që po vijon ndërhyrjet për ndërtimin e një resorti turistik në zonë.
Prej më shumë se tre javësh, banorët kundërshtojnë projektin, duke e cilësuar procesin të padrejtë dhe të njëanshëm. Ata pretendojnë se toka është pronë e tyre dhe se çdo ndërhyrje pa respektuar vendimin e gjykatës përbën shkelje të rëndë ligjore.
Shteti kundër vendimit të gjykatës?
Ngjarja ka ngritur pikëpyetje të forta:
Nëse një gjykatë e nivelit të Apelit njeh një pronësi, përse në terren veprohet sikur vendimi nuk ekziston?
Prania e shtuar e policisë dhe pengimi i banorëve për të hyrë në tokën që pretendojnë si të tyre ka krijuar perceptimin e një përplasjeje të hapur mes qytetarëve dhe shtetit.
Në një shtet ligjor, vendimi i gjykatës duhet të jetë fjala e fundit. Por ajo që po ndodh në Baks-Rrjoll duket si një sfidë e hapur ndaj drejtësisë.
Projekti për ndërtimin e një resorti turistik në këtë hapësirë bregdetare ka përçarë komunitetin dhe ka sjellë tension të vazhdueshëm. Banorët shprehen se investimi po imponohet mbi një konflikt pronësie që, sipas tyre, tashmë është sqaruar nga gjykata.
Ndërkohë, situata mbetet e tensionuar dhe nuk përjashtohet vijimi i protestave në ditët në vijim.
Rasti i Baks-Rrjollit në Velipojë nuk është thjesht një konflikt lokal. Ai është një provë për funksionimin e shtetit ligjor:
– A do të respektohet vendimi i gjykatës?
– A do të mbrohet prona private?
– Apo do të mbizotërojë forca mbi ligjin?
Banorët thonë se nuk do të tërhiqen. Dhe beteja për tokën e tyre duket se sapo ka hyrë në një fazë të re përballjeje.
