Si u vu Balluku në dispozicion të interesave të huaja dhe lidhjet e errëta me aferën kineze
Nga Redaksia:
Ndërtimi i Portit të Integruar të Durrësit në Porto Romano dhe realizimi i Korridorit 8 nuk janë thjesht projekte infrastrukturore. Ato përbëjnë një nyje strategjike jetike për sigurinë kombëtare të Shqipërisë dhe për arkitekturën ushtarake dhe energjetike të NATO-s në krahun lindor të Europës. Pikërisht për këtë arsye, këto projekte kanë prodhuar kundërshtarë të fuqishëm rajonalë dhe ndërkombëtarë, por edhe dyshime serioze për sabotim të brendshëm institucional.
Sipas materialeve të referuara në SPAK, tenderi për ndërtimin e Portit të Integruar të Durrësit në Porto Romano, me një vlerë rreth 400 milionë euro, dyshohet se është ndërtuar si një procedurë e manipuluar, e projektuar për të eliminuar konkurrencën reale ndërkombëtare dhe për t’i hapur rrugë fitores së një kompanie të paracaktuar: ARCHIRODON.
Tender i errët dhe dyshime për korrupsion të nivelit të lartë
Dosja penale e referuar në SPAK flet për një aferë të firmosur nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ku përfshihen zyrtarë të tjerë shtetërorë, komisione tenderimi dhe kompani të huaja të favorizuara. ARCHIRODON u prezantua publikisht si kompani “holandeze”, ndërkohë që rezulton e regjistruar si filial në Qipro, me menaxhim egjiptian dhe me aksionerë realë të fshehur pas fondeve arabe të panjohura.
Ky fakt, në vetvete, ngre alarmin për një shkelje të rëndë të sigurisë kombëtare, pasi Porto Romano nuk është thjesht një port tregtar, por një port me funksion strategjik për NATO-n dhe për Korridorin 8.
Përtej korrupsionit: një operacion gjeopolitik sabotues
Sipas kallëzimit penal, kjo çështje shkon përtej korrupsionit klasik. Dyshohet për një veprim gjeopolitik të mirëorganizuar, ku interesa të huaja – përfshirë Rusinё, Greqinë dhe Serbinë – përfitojnë nga korrupsioni endemik i qeverisë shqiptare për të sabotuar ndërtimin e Porto Romanos dhe Korridorit 8, një projekt kyç për furnizimin dhe mobilitetin e NATO-s.
- Greqia dhe Serbia janë konkurrente direkte të Korridorit 8 me Korridorin 10.
- Rusia e kundërshton hapur Korridorin 8, pasi ai dobëson ndikimin e saj strategjik në Ballkan dhe forcon praninë amerikane dhe të NATO-s.
Çfarë ndodhi në vitin 2016: afera kineze dhe roli i Olsi Ramës

Në vitin 2016, qeveria shqiptare zhvilloi një tender për zhvillimin e Zonës së Lirë Porto Romano – Spitallë, në një sipërfaqe prej 500 hektarësh, me kontratë përdorimi 99-vjeçare. Fitues u shpall kompania kineze “Zhejiang Haiteng Investment Co”.
Por shërbimet partnere siguruan fotografi në Kinë ku shfaqej Olsi Rama, vëllai i kryeministrit, duke vizituar kompani kineze që rezultuan më pas pjesë e procesit të tenderimit. Mediat lokale kineze raportuan se kompanitë ishin ftuar paraprakisht nga Rama, përpara zhvillimit të tenderit.
Skandali publik që pasoi çoi në anulimin e tenderit, por jo në ndëshkimin penal të përgjegjësve.
RUSIA dhe pista Savvidis
Sipas dosjes, një nga kundërshtarët kryesorë të dyshuar është Rusia, përmes aktorëve të saj ekonomikë dhe të shërbimeve inteligjente. Një emër kyç është Ivan Savvidis, oligark me lidhje të forta me Kremlinin, pronar i Portit të Selanikut, konkurrent i drejtpërdrejtë i Porto Romanos.
Savvidis tentoi gjithashtu të blinte Portin e Aleksandrupolit, por tenderi u anulua në minutën e fundit, me gjasë për shkak të ndërhyrjes amerikane. Aleksandrupoli është sot një nga pikat kyçe të NATO-s dhe terminali strategjik i gazit LNG amerikan.
ARCHIRODON konsiderohet kontraktor kryesor i Savvidisit në Greqi dhe në ish-republikat sovjetike.
Greqia, Archirodon dhe rreziku për sigurinë kombëtare

ARCHIRODON hyri në tender si firmë qipriote, ndërsa u servua publikisht si firmë holandeze. Struktura reale e pronësisë, menaxhimi egjiptian dhe fondet e errëta arabe ngrenë pyetje të rënda:
- A janë cenuar interesat kombëtare shqiptare?
- A ka pasur një orientim të qëllimshëm për të përjashtuar gjigantë botërorë si TOTAL, VINCI, WEBUILD, BOSKALIS, VAN OORD, BESIX, JAN DE NUL, apo për të penguar EXXON MOBIL për ndërtimin e një terminali LNG në Shqipëri?
- A është zvarritja pesëvjeçare e projektit një sabotim i qëllimshëm që rrezikon kolaps inxhinierik dhe financiar?
Kartelët e drogës dhe hija e DEA-s
Vendosja e zyrës së DEA-s amerikane prej afro tre vitesh në Tiranë ka shtuar dyshimet se Porto Romano mund të jetë në radar edhe për shkak të përdorimit nga kartelet e drogës, të lidhura me rrjete serbo–latinoamerikane.
Emra si Baldasar (Baldo) Vukasović dhe kompania SCAPHA d.o.o. (Split) përmenden në materialet e referuara si aktorë që kërkojnë akses afatgjatë në këtë pikë strategjike, duke ngritur dyshime serioze për infiltrim kriminal në një projekt të NATO-s.
