Nga Redi Minga:
Dikur Shqipëria ishte Zonjë e randë, vend burrash, tokë që e mbrojti nderin me gjak. Sot është e katandisur në një vend të përdhunuar politikisht, të zhveshur nga dinjiteti, të shitur për interesa të huaja.
E kanë trajtuar si viktimat e viteve ’90 që i rrëmbenin, i përdhunonin masivisht dhe më pas i fusnin në dush me ujë të ftohtë për të fshehur gjurmët.
E njëjta skemë, por me kostum e kravatë.
Populli përdhunohet politikisht… pastaj futet nën “dushin e ftohtë” të propagandës.
Dhe këtë projekt masakre kombëtare e kanë zhvilluar klyshet e politikës shqiptare, pa turp, pa ndërgjegje dhe pa pikën e dhimbjes për këtë vend:
Fatos Nano – që hapi derën e kapjes së shtetit dhe servilizmit ndaj të huajve.
Sali Berisha – që me kufomat dhe tranzicionin pa fund zhduku shpresën dhe zemrën e shqiptarëve.
Ilir Meta – mjeshtri i pazareve, simboli i politikës që blihet e shitet si mall në treg.
Edi (Edvin) Rama – klyshi më anti-shqiptar i të gjitha kohërave, që po e finalizon projektin e shpopullimit, kapjes së tokës dhe zhbërjes së identitetit.
Këta janë arkitektët e tragjedisë kombëtare.
Këta janë xhaketat e vjetra të tranzicionit, që po luajnë aktin e fundit të shkatërrimit.
1- Zbrazja e Shqipërisë – arma e parë e projektit anti-shqiptar
Këta klyshe politikë arritën atë që nuk e arritën dot as perandoritë:
shpopullimin e Shqipërisë.
E bënë tokën e të parëve tokë të boshatisur.
Ndërsa populli, i lodhur, i varfëruar dhe i fyer, gjeti vetëm një zgjidhje:
Të iki. Të shpëtojë fëmijët. Të arratiset.
Por duke ikur, shqiptarët lanë mbrapa:
- kujtimet,
- gjuhën,
- varret e gjyshërve,
- tokën,
- identitetin,
- të kaluarën dhe të ardhmen,
- shpirtin e këtij vendi.
Dhe kështu, pa dashur, ia falën të gjitha atyre që prej shekujsh ëndërrojnë zhdukjen tonë.
2- Zhbërja e identitetit – arma e dytë
Kjo klikë politike ka punuar me metoda më të rafinuara se armiqtë e djeshëm:
- kanë zhbërë historinë,
- kanë poshtëruar heronjtë,
- kanë futur narrativa të huaja,
- kanë goditur gjuhën shqipe në shkolla,
- kanë relativizuar krimet ndaj shqiptarëve,
- kanë betonizuar kulturën,
- kanë shkatërruar lidhjen e brezave me rrënjët.
Ky është gjenocid kulturor i heshtur, më i keq se plumbi.
3- Marrja e tokës – objektivi final
Shpopullim + zhbërje identiteti = marrje territori.
Dhe kjo po ndodh sot:
- afera territoriale të mbuluara me beton e korrupsion,
- prishje pronash autoktone,
- plane që prekën kufijtë,
- marrëveshje të nënshkruara në errësirë,
- dhënia e bregdetit e tokave strategjike të huajve.
Është formula e lashtë e armiqve tanë:
dobëso popullin → boshatis vendin → merr tokën.
Por sot këtë e po e realizojnë pikërisht ata që betohen “për Shqipërinë”.
Nga meshkuj të ulur ne kafe tek burrat që ngrihen
Shqipëria nuk ka nevojë për llafe kafenesh.
Ajo ka nevojë për burra të vërtetë, për njerëz që e thonë troç:
“Mjaft më! Shqipëria është e jona!”
Sepse kombi nuk zhduket nga armiqtë e jashtëm,
por nga heshtja e bijve të vet.
Oh moj Shqypni… kush të la në baltë?
Ti nuk u rrëzove vetë.
Ti u tradhtove.
Nga klyshet që u bënë pasanikë mbi kurrizin e popullit.
Nga qelbësirat që shitën tokën për karrige.
Nga servilët që u përkulën para të huajve.
Oh moj Shqypni,
s’është faji yt që je gjymtuar…
është faji i bijve që harruan kush janë.
Por ende s’është vonë.
Nëse sot populli ngrihet, edhe një herë,
atëherë Shqipëria, kjo Zonjë e randë që po e mbulojnë me pluhur,
do ringrihet më e fortë se kurrë.
Por nëse heshtim…
atëherë nesër nuk do kemi më as Shqipëri, as gjuhë, as identitet, as tokë — asgjë.
