Rama dhe seriali i NeoJugosllavisë – Ballkani i hapur i Rilindur nën versionin Europian …

Edi Rama po e rikthen Open Balkan me emër të ri – përmes dyerve të BE-së!

Nga Redi Minga:

Kryeministri Edi Rama po luan një lojë të rrezikshme me termin “drejt BE-së”. Strategjia e tij është e qartë: të vazhdojë projektin “Open Balkan”, por këtë herë pa rënë në sy, duke e maskuar si nismë të Bashkimit Europian. Në sipërfaqe, Rama e shet si “axhendë europiane”, por në brendësi rrjedh po e njëjta agjendë e “botës serbe”, të cilën e ka promovuar vite me radhë në krah të Aleksandër Vuçiçit.

Ajo që e bën edhe më shqetësues zhvillimin është fakti se Rama po e shtyn këtë projekt të rrezikshëm duke u mbështetur fuqimisht te komisarja e BE-së Marta Kos, me të cilën ai po bën një lobim të hapur – por të padukshëm për publikun shqiptar.

Ndërkohë, shumica e aktorëve politikë, analistëve dhe opinionit publik flenë gjumë, duke mos kuptuar transformimin e heshtur që po i bëhet rajonit nën petkun e “integrimit europian”.

Ndërsa publiku pret ende vazhdimin e lojës me Belinda Balluku, Edi Rama nuk po humb kohë. Në momentet kur skandalet dhe protestat rrisin presionin mbi qeverinë, ai zgjedh ta zhvendosë sërish fokusin drejt teatrit të tij të preferuar: projektit të NeoJugosllavisë politike, të rikthyer tashmë në versionin e radhës.

Rama përsëri po rikthen të njëjtën formulë rajonale, të cilën më parë e quajti Open Balkan, ndërsa sot i ka veshur një emër që tingëllon më “europian”:

“Tregu i Përbashkët Ballkanik”.

Sipas tij, kjo qenka një axhendë e BE-së. Në të vërtetë, pas dyerve të mbyllura, bëhet fjalë për të njëjtën skemë që ka për qëllim:

  • rehabilitimin e Serbisë,
  • rritjen e ndikimit politik të Vuçiçit në rajon,
  • dhe ngritjen e një platforme që dobëson pavarësinë ekonomike e gjeopolitike të Shqipërisë dhe Kosovës.

Kjo nuk është një nismë europiane. Është thjesht Open Balkan me grim europian. Një produkt i vjetër me ambalazh të ri – por me të njëjtin qëllim: rikthimin e rajonit në orbitën serbe.

Pse Serbia? Pse tani?

Serbisë dhe Vuçiçit u duhet shpëlarë surrati pikërisht tani, për shkak të presioneve të brendshme dhe protestave masive që po e rrethojnë regjimin e tij. Ndërkohë Rama i jep mbështetje ndërkombëtare, duke krijuar mbulesën e nevojshme politike që Serbia kërkon.

Duke e quajtur këtë projekt “europian”, Rama:

  • e largon vëmendjen nga skandalet e brendshme, si çështja BELA-JA,
  • e zhvendos debatin publik nga dështimet e qeverisë,
  • dhe përpiqet të shitet si lider rajonal e partner kyç në BE.

Samiti në Pallatin Mbretëror – përgatitja për 14 vitet presidenciale?

Nuk është rastësi që samiti u organizua pikërisht në ambientet e Pallatit Mbretëror. Një dekor i tillë i shërben Ramës për të projektuar imazhin e një lideri të nivelit “shtetformues” dhe për të normalizuar pikërisht ato ambiente ku ai ëndërron të qëndrojë gjatë një 14-vjeçari presidencial, nëse fati politik i buzëqesh.

Projekti është i vjetër, vetëm emri ka ndryshuar

“Tregu i Përbashkët Ballkanik” nuk është hap drejt BE-së.
Nuk është integrim.
Nuk është reformë.

Është Open Balkan 2.0, një NeoJugosllavi e re, e lyer me bojë europiane, që:

  • shërben interesat e Serbisë,
  • konsolidon pushtetin personal të Ramës,
  • dhe rrezikon strukturën gjeopolitike të Shqipërisë e Kosovës.

Dhe e gjitha kjo po bëhet ndërsa shumë të tjerë në politikë, media dhe institucione flenë në këmbë.

Në fund, seriali i Ramës nuk është thjesht një marrëveshje rajonale, por një strategji e rafinuar për të konsoliduar ndikimin personal dhe atë të aleatëve të tij ndërkombëtarë, duke e mbuluar gjithçka nën petkun e “europianizimit” dhe “bashkëpunimit rajonal”.

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *