Presidenti Trump godet fort në OKB: “Fjalët boshe nuk i zgjidhin luftërat – Vetëm veprimi sjell rezultat!”

Nga Redaksia:

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tronditi Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të martën, duke sfiduar hapur funksionin e OKB-së dhe duke vënë në dyshim aftësinë e saj për të zgjidhur konfliktet globale. Në një fjalim të fuqishëm, Trump e quajti organizatën ndërkombëtare një “shkollë të fjalëve boshe”, duke theksuar se vetëm veprimet konkrete sjellin paqe dhe siguri.

“OKB duhet të kalojë nga fjalët në veprime. E tëra çfarë bëjnë është të shkruajnë letra me fjalë të forta dhe pastaj nuk japin asnjë përgjigje. Fjalët boshe nuk e zgjidhin luftën,” deklaroi Trump. Ai kritikoi financimin e projekteve që, sipas tij, dobësojnë vendet perëndimore dhe kufijtë e tyre.

Politika e jashtme dhe siguria

Trump kujtoi se nën udhëheqjen e tij, Shtetet e Bashkuara arritën të përfundonin konflikte ndërkombëtare pa mbështetjen e OKB-së, duke rifituar respektin global.

Për Lindjen e Mesme, ai hodhi poshtë idenë e njohjes së një shteti palestinez ndërsa Hamasi mban pengje:

“Ata që duan paqe duhet të bashkohen rreth një mesazhi të vetëm: lironi pengjet tani.”

Në lidhje me Ukrainën, Trump kërkoi që Evropa të ndalojë importin e naftës ruse dhe kritikoi Kinën dhe Indinë për ndihmën indirekte ndaj konfliktit. Ai paralajmëroi se nëse Moska nuk pranon të negociojë paqen, SHBA do të vendosë tarifa të fuqishme, me efekt vetëm nëse Europa bashkohet.

Ai gjithashtu premtoi ofensivë të re kundër rrjeteve të drogës në Karaibe dhe Venezuelë:

“Për të gjithë banditët që sjellin drogë helmuese në SHBA: Do t’ju hedhim në erë.”

Emigrimi dhe kufijtë

Trump mbrojti politikën e tij të emigracionit dhe kritikoi OKB-në për promovimin e kufijve të hapur, duke paralajmëruar se emigracioni i paligjshëm destabilizon Evropën:

“Është koha t’i japim fund eksperimentit të dështuar të kufijve të hapur.”

Ndryshimi i klimës dhe energjia

Ai e cilësoi axhendën globale të klimës si “mashtrimin më të madh kundër botës” dhe hodhi poshtë parashikimet e OKB-së. Trump mbrojti daljen e SHBA nga Marrëveshja e Parisit dhe strategjinë e tij të dominimit energjetik:

“Ne kemi më shumë naftë dhe gaz se çdo komb tjetër në botë; nëse shtoni qymyrin, jemi lider absolut.”

Një mesazh sfidues

Fjalimi i tij, pothuajse një orë i gjatë, kombinonte kritikat ndaj multilateralizmit me mbrojtjen e sovranitetit kombëtar dhe forcës amerikane. Trump madje bëri shaka për vështirësitë teknike të asaj dite:

“Këto janë dy gjërat që më dhanë Kombet e Bashkuara: një shkallë lëvizëse të prishur dhe një teleprompter të prishur. Faleminderit shumë.”

Me këtë mesazh, Trump riafirmoi prioritetin e veprimit të drejtpërdrejtë mbi fjalët boshe, duke sfiduar hapur axhendën e Kombeve të Bashkuara.

Ky material është pronë e Patriotikmedia.al dhe është i mbrojtur nga ligjet për të drejtën e autorit. Ndalohet riprodhimi, apo publikimi i plotë apo i pjesshëm i këtij materiali pa lejen e shkruar paraprakisht nga redaksia. Shkelësit do të përballen me pasojat ligjore sipas legjislacionit në fuqi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *