Nga Redaksia:
Sipas medias amerikane Axios, në korridoret e bardha të Washingtonit po përhapet një zhgënjim i madh: disa nga liderët kryesorë të Evropës janë kthyer në pengesën më të madhe për përparimin e negociatave të paqes mes Rusisë dhe Ukrainës – negociata që nisën pas takimit historik në Anchorage, Alaska, mes Donald J. Trump dhe Vladimir Putin.
Në publik, shumica e qeverive evropiane deklarohen se përkrahin përpjekjet e Trump për t’i dhënë fund luftës, por në prapaskenë – sipas burimeve të administratës amerikane – po punojnë për t’i minuar arritjet që u shënuan që nga takimi.
Frustrimi në Washington
Burime të afërta me Shtëpinë e Bardhë shprehen se ngërçi nuk ka lidhje as me Presidentin Trump, as me homologun e tij rus, por me presionet e aleatëve evropianë ndaj Kievit. Sipas këtyre burimeve, europianët po e shtyjnë presidentin ukrainas Volodimir Zelenski të rezistojë dhe të kërkojë koncesione “të pamundura” nga Moska.
“Evropianët nuk mund të zgjasin pafundësisht këtë luftë dhe njëkohësisht të presin që Shtetet e Bashkuara të mbajnë faturën”, deklaroi një zyrtar i lartë amerikan për Axios. “Nëse Europa kërkon përshkallëzim, kjo është zgjedhja e tyre. Por rrezikojnë të shndërrojnë fitoren në humbje.”
Dilema ukrainase
Raporti thekson se Trump dhe ekipi i tij besojnë që Zelenski po merr mesazhe kontradiktore nga Evropa, duke u inkurajuar të presë për “një marrëveshje më të mirë”, edhe pse forcat ruse po avancojnë dhe mbrojtja ukrainase po shfaq shenja dobësie.
“Arritja e një marrëveshjeje është arti i së mundshmes,” tha një tjetër zyrtar amerikan. “Por disa europianë jetojnë në një botë fantazie, duke harruar se për të vallëzuar duhen dy.”
Pengesat për paqe
Perceptimi në Washington është i qartë: disa qeveri evropiane, në vend që të ndihmojnë për të sjellë paqen, janë kthyer në faktorët kryesorë të sabotimit të saj.
Ndërkohë, Trump vazhdon të insistojë se rruga e vetme për t’i dhënë fund luftës është ajo e negociatës së drejtpërdrejtë. Por tensioni me Brukselin po rrezikon të eklipsojë çdo përpjekje diplomatike dhe ta komplikojë edhe më shumë procesin.
Ky material është pronë e Patriotikmedia.al dhe është i mbrojtur nga ligjet për të drejtën e autorit. Ndalohet riprodhimi, apo publikimi i plotë apo i pjesshëm i këtij materiali pa lejen e shkruar paraprakisht nga redaksia. Shkelësit do të përballen me pasojat ligjore sipas legjislacionit në fuqi.