Nga Redaksia – PatriotikMedia.al
Prej më shumë se një dekade, pasuria më e madhe e nëntokës shqiptare – nafta e Visokës – është kthyer në një çiflik privat ku interesat e huaja dhe kompanitë fantazmë gërryejnë ekonominë e vendit. Në qendër të këtij rrëfimi që ngjan si një skenar korrupsioni të përhershëm, del kompania United Terra Enterprises (dikur e njohur si “Terraoil Swiss”), e cila operon në Shqipëri që nga viti 2012.
Marrëveshje të errëta dhe dyshime për shkelje
Në letër, United Terra shfaqet si kompani e licensuar, e cila ka prodhuar mbi 1.3 milion fuçi naftë nga fusha e Visokës dhe është në bashkëpunim me Albpetrol e AKBN për planet e punës. Por pas kësaj fasade “zyrtare” fshihen marrëveshje që kanë ndezur alarmin në media dhe tek ekspertët e sektorit.
Në vitin 2020, u bë një investigim nga mediat ku u zbulua se United Terra kishte lidhur një kontratë shërbimi me kompaninë serbe GTK Oil, e cila dyshohet se ka marrë kontroll praktik mbi prodhimin. Ish-drejtori i Albpetrol-it, Dritan Spahiu, deklaroi publikisht se kjo marrëveshje shkelte kontratën hidrokarbure dhe se i linte shtetit shqiptar vetëm humbje. Ai ngriti alarmin se informacionet teknike dhe prodhimi po transferoheshin jashtë çdo kontrolli, ndërsa Albpetrol anashkalohej.
United Terra reagoi duke i cilësuar këto si “spekulime dhe keqinterpretime”, por zhurma nuk u shua. Populli thotë: “Ku ka zë, nuk është pa gjë”. Dhe ky zë nuk është shuar as sot.
Nafta shqiptare në duar të huaja
Ky nuk është rasti i parë ku pasuria kombëtare nxirret nga toka shqiptare, por përfitimet i mbledhin të huajt. Në çdo kontratë hidrokarbure të 30 viteve të fundit, fitimi i madh ka dalë nga vendi, ndërsa për Shqipërinë kanë mbetur shifra qesharake në krahasim me pasurinë e vërtetë.
Rasti i Visokës tregon edhe një herë se si një kompani e huaj, me emra që ndryshojnë herë pas here, arrin të mbajë në dorë prodhimin e naftës, ndërsa shqiptarëve u shitet propaganda e “investimeve strategjike”. Në realitet, ky është vetëm kapitullimi i shtetit përballë interesave të huaja.
Në këtë histori nuk mjafton vetëm fakti që një kompani private gëlltit naftën shqiptare. Pyetja e madhe është: Ku është shteti? Ku është SPAK?
SPAK ka në dorë të verifikojë kontratat, marrëveshjet dhe mënyrën se si kompanitë private kanë marrë kontroll mbi naftën shqiptare. Por deri më tani, heshtja është totale. Nëse ky institucion nuk vepron, atëherë lind dyshimi i madh: a është SPAK vetëm spektakël për kamerat, apo është realisht organ i drejtësisë?
Çdo ditë që kalon, nafta e Visokës shkon në xhepat e kompanive private, ndërsa buxheti i shtetit vidhet para syve tanë. Dhe nëse SPAK nuk vepron menjëherë, atëherë është e qartë se kemi të bëjmë me një bashkëpunim të heshtur mes pushtetit dhe kompanive që e thithin gjakun e vendit.
Pasuria natyrore e Shqipërisë është trashëgimi e gjithë kombit dhe nuk mund të shndërrohet në monopol të disa firmave të dyshimta. Visoka është vetëm maja e ajsbergut: e një historie ku korrupsioni, klientelizmi dhe interesat e huaja kanë rrënuar ekonominë shqiptare për 34 vite.
Është koha që SPAK të tregojë nëse është në shërbim të shqiptarëve apo i një pjese të së njëjtës skemë grabitjeje. Sepse në fund, heshtja e institucioneve është po aq kriminale sa vjedhja vetë.
Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.