Nga Redaksia:
Mbrëmja e djeshme solli një skenë të përsëritur, por të papranueshme për një vend që dëshiron të quhet “destinacion turistik evropian”: mbi 24 kilometra trafik i rënduar, nga Shëngjini deri në Milot, duke mbajtur mijëra turistë të bllokuar për orë të tëra.
Pushues që i drejtoheshin bregdetit të Shëngjinit, Tales dhe Velipojës u përballën me pritje disa orëshe, të cilat nuk u zbutën as nga prania e policisë rrugore. Rrugët e Lezhës, tashmë të ngushta dhe të amortizuara, nuk e përballuan dot fluksin e madh të automjeteve, ndërsa mbyllja e urës së vjetër të Milotit – që shërbente si rrugë alternative – e ktheu situatën në kaos total.
Denoncimi që paralajmëroi katastrofën
Vetëm pak ditë më parë, PatriotikMedia.al përmes faqes sonë “STOPFAKE.al” publikoi një denoncim alarmant të një turisti gjerman, që tregonte qartë se çfarë po ndodhte në terren: mungesë totale organizimi, paaftësi e autoriteteve dhe indiferencë e punonjësve të shtetit.
Më poshtë keni linkun e facebook:
https://www.facebook.com/share/p/15mjPJNmkK

Turisti, i ardhur me familjen për pushime në Shëngjin, rrëfente se kishte qëndruar mbi 4 orë i bllokuar në trafik, ndërsa në krye të menaxhimit të rrugës ishte një person “me jelek si pastrues bashkie” që lejonte hyrjen e makinave sipas qejfit, pa asnjë rregull apo logjikë. Madje, sipas tij, një polic uniformë thjesht shikonte dhe nuk ndërhynte, edhe kur automjetet hynin në kundravajtje.
“Më kishin folur shumë mirë për Shqipërinë, por realiteti që gjeta është krejt ndryshe”, shkruante ai i zhgënjyer.
Problemi nuk është vetëm infrastruktura
Po, mungesa e rreth-rrotullimeve dhe rrugëve alternative është një problem i madh. Por problemi më i rëndë, sipas specialistëve dhe dëshmive të qytetarëve, është papërgjegjshmëria e punonjësve që duhet të ruajnë rendin. Në vend që të jenë zgjidhja, ata shpesh bëhen pjesë e problemit.
Një vend që synon të jetë atraktiv për turistë nuk mund të lejojë që vizitorët të mbahen orë të tëra në bllokime absurde, duke i trajtuar si bagëti dhe duke i detyruar të përballen me punonjës që nuk përfaqësojnë as dinjitetin minimal të shtetit.
Thirrje për ndërhyrje urgjente
Ky nuk është një episod i izoluar – është një simptomë e një administrimi rrugor të dështuar. PatriotikMedia.al i bën apel institucioneve përkatëse: të marrin masa të menjëhershme për menaxhimin e trafikut sezonal të vendosin rreth-rrotullime dhe struktura devijimi; të trajnojnë dhe monitorojnë punonjësit e terrenit dhe mbi të gjitha, të japin llogari para qytetarëve dhe turistëve që po e braktisin Shqipërinë nga zhgënjimi.
Turizmi nuk ndërtohet me reklama, por me realitetin që vizitori përjeton kur prek tokën shqiptare.
Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.