9 Aug 2025, Sat

ANALIZA: “Patriot” dhe “tradhtar”… deri kur?!

Nga Dr. Adil Mustafa:

Skena politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut tash e sa kohë është kthyer në një teatër tragjikomik. Vendin e dijes e ka zaptuar injoranca politike, atë të ndershmërisë e kanë zënë matrapazët, ndërsa profesionalizmin e ka “pushtuar” amatorizmi.
Po ashtu, në skenën politike shfaqen episode qesharake dhe të dhimbshme për popullin!

Vendin e investimeve e kanë gllabëruar hajnat politikë, të cilët kanë zhvatur pasurinë e popullit duke përdorur pushtetin institucional dhe politik. Një bilanc i thjeshtë pasqyron një situatë për të ardhur keq.

Maqedonia Perëndimore vazhdon të mbetet e prapambetur në urbanizëm, infrastrukturë, ndërtesa të kopshteve, çerdheve, shkollave dhe ordinancave mjekësore.
Tetova, Gostivari, Kërçova, Struga, Dibra, Kumanova, Likova, Çairi, Saraji dhe zona të tjera kanë probleme të mëdha në të gjitha aspektet elementare të jetës.

Çuditërisht, në kushte të tilla, klasa politike shqiptare “fle gjumë” dhe zgjohet vetëm atëherë kur padronët e tyre maqedonas u japin “lejen e kalimit” për të bërë korrupsion, për të vjedhur e plaçkitur pasurinë e popullit, apo për të punësuar dhe pasuruar familjarët e tyre.

Më keq akoma: në kohën e BDI-së, Maqedonia Perëndimore, aty ku shumicë janë shqiptarët, në vend të zhvillimit, përjetoi rrënim urbanistik; në vend të investimeve në bujqësi, blegtori apo agroturizëm, pamë braktisjen e vatrave, dhe shqiptarët morën rrugët e emigracionit.
Në vend të ndërtimit të objekteve arsimore, kulturore dhe mjekësore, mbinë llotot sportive dhe kazinotë, pronarët e të cilave janë njerëz të lidhur me pushtetin e BDI-së.

Qeveria e kishte ndarë “kulacin”: investime kapitale për maqedonasit, ndërsa për shqiptarët – varfërim të skajshëm duke lejuar lojërat e fatit.

Mos të flasim pastaj për të drejtat themelore etnike të shqiptarëve. Është luajtur një teatër komik me aktorë shqiptarë dhe regjisorë maqedonas që shpesh e kanë kthyer në tragjedi.

Asgjë nuk është bërë për kredibilitetin e shqiptarëve në pushtet dhe në shtet. T’i marrim me radhë:

Po flitet për zyrtarizimin e gjuhës shqipe. Duhej të kishte përfunduar që në vitin 2004.

Po flitet për decentralizim pushteti – ku është?

Po flitet për bratintela; po dëshmorët shqiptarë të konfliktit të 2001-shit, po veteranët – çfarë po bëhet?!

Po flitet për punësime në administratë dhe institucione – pse nuk janë bërë deri më sot? Ku është barazia?

Po flitet për simbole shtetërore – ku përfaqësohen shqiptarët etnikë?

Po flitet për tekste shkollore që janë katastrofale – ku është ndryshimi?

Po flitet për përfaqësim adekuat në Akademinë e Shkencave, ushtri, gjykata, drejtësi, dogana etj. – çfarë po ndodh?

Ka edhe shumë elementë të tjerë diskriminues për shqiptarët që do t’i trajtoj në shkrimet e ardhshme.

E rëndësishme është të thuhet se skena politike shqiptare nuk ka bërë ndonjë gjë të hajrit për shqiptarët. Thjesht janë pasuruar për vete.

Atëherë, pse luajnë komedi me “tradhtarë” dhe “patriotë”?
Dëgjojmë e lexojmë komunikata nga partitë politike që merren vetëm me sharje e fyerje ndaj njëri-tjetrit. Patriot e tradhtar! Kush e fiton garën e propagandës? Turp për besë!

Po të dëgjosh akuzat dhe kundërakuzat e klasës politike, skena bëhet edhe më qesharake. Ata jo vetëm që nuk dinë të përcaktojnë përkufizimet, por i japin vetes të drejtën të keqpërdoren nga maqedonasit dhe të shqyhen ndërmjet veti me etiketime – kush është më shumë patriot, e kush më pak “tradhtar”.

T’ia japim fund njëherë e mirë këtij definicioni të rremë “tradhtar” e “patriot”!
Patriot është ai/ajo që është votuar për t’i shërbyer popullit, për të qenë kujdestar i interesave të shqiptarëve, për të ndikuar fuqishëm që shqiptarët të kenë më shumë zhvillim ekonomik, social, arsimor e kulturor.

Patriot është ai politikan, zyrtar apo qeveritar që i thotë maqedonasit: “Ndale këtë ligj diskriminues! Unë votoj kundër! Jap edhe dorëheqje – dhe s’më ha palla për kolltuk pushteti.”
Kush nga zyrtarët, politikanët e qeveritarët shqiptarë e ka bërë këtë? Askush.

Çfarë i bie të jenë? Tradhtarë të interesave të qytetarëve.

Kjo lojë me “patriotë” e “tradhtarë” duhet të marrë fund! Populli nuk i ha më këto lojëra qesharake.
Kur vjen puna për të marrë vota, të gjithë bëhen patriotë.
Sapo marrin pak pushtet, shndërrohen në vasalë.

Kjo është e vërteta. Ky është realiteti.
Deri kur?!
Nëse nuk ndryshohet ky realitet, atëherë punët do të shkojnë vetëm më keq.

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *