Nga Redaksia:
Në vitin 1946, regjimi komunist i Enver Hoxhës ndërmori një nga goditjet më të mëdha ndaj pronës private në historinë shqiptare: Reforma Agrare, e cila zyrtarisht filloi me parullën “të japim tokë për fshatarin pa tokë”, por në realitet përfundoi duke u marrë tokën të gjithëve, edhe atyre që kishin një copë toke të trashëguar me djersë brez pas brezi.

Fillimisht, Enveri konfiskoi pronat e bejlerëve dhe familjeve të pasura, por shpejt më pas — nën ideologjinë marksiste-leniniste — edhe fshatarëve të zakonshëm u mori tokat, për t’i bashkuar në të ashtuquajturat kooperativa bujqësore. Nga viti 1950 deri në fundin e viteve ’60, nuk kishte më asnjë shqiptar pronar të tokës së tij. Toka u bë “e popullit”, por në realitet kontrollohej nga partia dhe sigurimi i shtetit.
Sot, pas më shumë se 70 vitesh, historia po përsëritet me emra dhe metoda të reja, por me qëllim të njëjtë: mohimin e pronës private dhe shkatërrimin e pasurisë familjare të shqiptarëve.
2013-2025: Enverizmi modern i Edi Ramës
Prej kur Edi Rama mori pushtetin në vitin 2013, ka nisur një proces të heshtur dhe të maskuar konfiskimi të tokës në emër të “reformës territoriale”, “legalizimeve”, “investimeve strategjike” apo “pronës shtetërore”.
Shumë qytetarë që zotërojnë toka me dokumente, tapira, ose që i kanë trashëguar prej 500 vitesh brez pas brezi, sot përballen me një shtet që nuk ua njeh pronën dhe në vend të mbrojtjes, iu dërgon fadromat për t’u prishur gjithçka kanë ndërtuar.
Në shumë raste, këto toka shpallen me një të rënë të lapsit “pronë shtetërore”, e më pas jepen me koncesione, shiten te oligarkët, ose përdoren për interesa të huaja në emër të “zhvillimit ekonomik”.
Kjo është i njëjti mentalitet kriminal si ai i Enver Hoxhës, por me një maskë të re moderne dhe europianiste. Në të dyja rastet, qytetari i thjeshtë është viktima, prona i konfiskohet, familja i shkatërrohet dhe shteti i bëhet armik.
A është kjo drejtësia që na premtoi Europa?
(Ndiqni videon)
Në vend që drejtësia e re të kthejë pronat te pronarët legjitimë, po shohim një aleancë mes pushtetit, gjykatave të korruptuara dhe grupeve të interesit, të cilët bëjnë gjithçka për t’ia marrë tokën shqiptarit të thjeshtë, duke e lënë pa zë, pa të ardhme dhe pa të shkuar.
Edi Rama nuk po bën asgjë më pak se sa Enver Hoxha: po shkatërron pronën private, identitetin, të drejtën, dhe po krijon një shoqëri ku vetëm të lidhurit me pushtetin mund të kenë tokë, vila dhe pasuri.
Shqiptari po kalon nga triska e kooperativës te koncesioni modern
Shqiptari dikur mbante triskën e kooperativës për të ngrënë bukë me 300 gram në ditë. Sot, fëmija i atij shqiptari nuk ka të drejtë të prekë tokën e gjyshit të tij, sepse qeveria e Edi Ramës e ka shpallur “prona publike” për t’ia dhënë ndonjë investitori strategjik.
Ky nuk është zhvillim. Kjo është shkatërrim kombëtar me firmë dhe vulë. Historia po përsëritet, dhe nëse populli hesht, do ta pësojë njësoj si dikur.
Nëse do ndihesh një popull i lirë, duhet të jesh edhe pronar i vendit tënd. Pa tokë, pa pronë, je vetëm skllav modern në tokën tënde.
Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.