VIDEO/Rama heq dorë nga gjobat, policia kalon te spërkatja me piper: Ndërhyrje ndaj protestuesve paqësorë në bulevard …
Nga gjobat tek presioni policor: Qytetarët shtyhen drejt trotuareve, kundërshtojnë kufizimet dhe kërkojnë të drejtën për të protestuar përpara Kryeministrisë
Nga Redaksia – Kryeministri në detyrë, Edi Rama, duket se ka ndryshuar strategjinë përballë qëndresës qytetare. Pasi gjobat e vendosura ndaj protestuesve nuk kanë arritur t’i ndalin ata dhe qytetarët kanë vijuar të dalin në rrugë, tashmë në terren po shihen ndërhyrje më të ashpra të Policisë së Shtetit, përfshirë përdorimin e spërkatësve me piper kundër protestuesve.
Efektivët e policisë kanë ndërhyrë duke shtyrë qytetarët drejt trotuareve, në zbatim të aktit normativ që kufizon zhvillimin e tubimeve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Ndërhyrja ka shkaktuar reagimin e protestuesve, të cilët e konsiderojnë këtë kufizim të paligjshëm dhe në kundërshtim me të drejtën kushtetuese për tubim dhe protestë.
Qytetarët kanë kundërshtuar veprimet e uniformave blu, ndërsa gjatë tubimit janë dëgjuar thirrje kundër qeverisë dhe Policisë së Shtetit. Situata është shoqëruar edhe me shoqërimin e disa protestuesve.
Përdorimi i forcës dhe i mjeteve irrituese ndaj qytetarëve që protestojnë ngre pikëpyetje serioze mbi proporcionalitetin e ndërhyrjes policore dhe respektimin e të drejtave kushtetuese. E drejta për të protestuar është një e drejtë themelore demokratike dhe çdo kufizim i saj duhet të jetë në përputhje me ligjin.
Protesta e 173-të e qëndresës qytetare
Kjo është protesta e 173-të në kuadër të qëndresës qytetare, e nisur më 31 maj, me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë.
Pas marshimit në disa prej rrugëve të kryeqytetit, protestuesit janë rikthyer sërish në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara godinës së Kryeministrisë, aty ku në fillim të protestës nuk u lejuan të zhvillonin tubimin.
Më herët, gjatë tentativës për t’u afruar pranë godinës së Kryeministrisë, janë shënuar edhe përplasje verbale mes protestuesve dhe efektivëve të Policisë. Megjithatë, qytetarët kanë vijuar qëndresën dhe janë rikthyer në pikën ku kërkojnë të ushtrojnë të drejtën e tyre për protestë.
Ndërkohë, protestuesit kanë paralajmëruar një tubim kombëtar më 28 Nëntor, në Ditën e Pavarësisë, ku pritet të marrin pjesë edhe shqiptarë nga diaspora.
Nga gjobat te ndërhyrjet policore, qëndresa qytetare duket se nuk po ndalet. 28 Nëntori pritet të jetë prova e radhës për përmasat që mund të marrë kjo lëvizje proteste.
© Copyright of PatriotikMedia.al


