Bela Mafia në vend që të ishte në burg për dëmin, 5.4 miliardë lekë, konsumon qetësisht një çaj në një nga zonat më të populluara të Tiranës …
Nga Redaksia – Ndërsa SPAK ka dërguar për gjykim dosjen ndaj Belinda Ballukut dhe 27 të pandehurve të tjerë, ish-zëvendëskryeministrja shfaqet duke konsumuar çaj në një nga zonat e populluara të kryeqytetit. Në të njëjtën kohë, të rinj që protestojnë shoqërohen në polici.
Një fotografi e publikuar së fundmi tregon ish-zëvendëskryeministren dhe ish-ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, duke konsumuar një çaj në zonën e Gardës, në qendër të Tiranës.
Pamja vjen në një moment kur emri i saj ndodhet në qendër të një prej dosjeve më të rëndësishme të Prokurorisë së Posaçme, e cila më 16 nëntor 2026 ka njoftuar dërgimin për gjykim të procedimit penal nr. 136/2025.
Në këtë procedim janë përfshirë 26 të pandehur dhe dy persona juridikë, ndërsa Balluku është ndër personat ndaj të cilëve SPAK ka ngritur një sërë akuzash të rënda.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, ish-zëvendëskryeministrja akuzohet për:
- Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, në bashkëpunim, në nëntë raste.
- Korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike.
- Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë.
- Mosdeklarim, fshehje ose deklarim të rremë të pasurive dhe interesave privatë, në dy raste.
- Pastrim të produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale.
Një nga çështjet që ka tërhequr vëmendje të veçantë lidhet me projektet infrastrukturore dhe dëmin ekonomik të përllogaritur nga ekspertiza e administruar gjatë hetimeve.
Vetëm për një pjesë të preventivit të rishikuar gjatë zbatimit të kontratës së Unazës së Madhe të Tiranës, SPAK ka evidentuar një dëm ekonomik të përllogaritur në 5 miliardë e 477 milionë lekë.
Ndërkohë, kontratat dhe procedurat e tenderimit janë pjesë e një hetimi më të gjerë, ku prokuroria pretendon se janë kryer veprime të kundërligjshme në favor të operatorëve ekonomikë.
Por ajo që ngre pikëpyetje dhe ushqen reagimin publik është kontrasti mes situatës së drejtësisë dhe realitetit që qytetarët shohin në rrugët e kryeqytetit.
Ndërsa të rinj që dalin në protestë për të shprehur pakënaqësitë e tyre shoqërohen në polici, një ish-zyrtare e nivelit më të lartë të qeverisë, ndaj së cilës rëndojnë akuza të shumta penale, shfaqet duke konsumuar qetësisht një çaj në publik.
Ku është barazia përpara ligjit? A duhet të ketë standarde të ndryshme për qytetarët e zakonshëm dhe për ata që kanë mbajtur postet më të larta shtetërore?
Fotografia, është realizuar sot, vetëm pak çaste përpara publikimit të këtij lajmi, në zonën e Gardës në Tiranë.
Qytetarët presin që drejtësia të japë përgjigje për akuzat, të zbardhë përgjegjësitë dhe të garantojë që askush, pavarësisht postit apo pushtetit që ka pasur, të mos jetë mbi ligjin.
© Copyright of PatriotikMedia.al


