Ku është morali politik i PD-së? Berisha përballë demokratëve: Dje kundërshtarë, nesër aleatë për pushtet?
Nga Kujtim Cekani:
Morali politik i Partisë Demokratike po vihet sërish në pikëpyetje. Pyetja që shtrohet sot nuk lidhet vetëm me emrat që mund të afrohen pranë PD-së, por me parimet politike që kjo forcë pretendon se përfaqëson dhe me besimin e mijëra demokratëve që dalin në protesta kundër qeverisjes socialiste.
Sali Berisha ia hapi derën e PD-së Kastriot Islamit. Me Ilir Metën, pas gjithë akuzave dhe përplasjeve politike që kishin shkëmbyer ndër vite, ndau pushtetin. Tani, nëse po mendon t’ua hapë derën edhe Erion Veliajt dhe Elisa Spiropalit, atëherë ka një detyrim politik dhe moral t’u japë përgjigje demokratëve.
Çfarë duhet të mendojnë qytetarët që prej vitesh dëgjojnë nga foltorja e opozitës akuza të ashpra ndaj qeverisë, ndërsa në prapaskenat politike mund të shfaqen skenarë bashkëpunimi me të njëjtët persona që deri dje denoncoheshin?
Për çfarë na kërkuat të protestonim, nëse nesër do të na kërkoni të mbështesim po ata që denonconit dje?
Me çfarë morali politik u kërkohet njerëzve besim sa herë që duhen në shesh, ndërsa më pas ata mbeten pa përgjigje kur në tryezë shtrohen marrëveshjet për pushtet?
Demokratët nuk mund të trajtohen si një kontingjent votash që mobilizohet për protesta dhe më pas lihet mënjanë kur vjen momenti i pazareve politike. Ata kanë të drejtë të dinë se për çfarë protestojnë, për çfarë sakrifikojnë dhe çfarë alternative politike po u ofrohet.
Opozita nuk mund të ndërtojë besimin e qytetarëve vetëm mbi denoncime dhe akuza. Ajo duhet të dëshmojë se ka parime, qëndrueshmëri dhe një alternativë të besueshme qeverisëse.
Prandaj, pyetja që mbetet është e drejtpërdrejtë: Ku është morali politik i PD-së dhe kush mban përgjegjësi për besimin e demokratëve?
Kjo klasë politike duhet të largohet nga pushteti dhe të japë llogari para shqiptarëve për atë që i ka bërë Shqipërisë. Vendi ka nevojë për një politikë me parime, jo për marrëveshje të përkohshme që ndryshojnë sipas interesave të ditës.
© Copyright of PatriotikMedia.al


