Engjëll Luka shpërthen ndaj SPAK-ut: Edi Rama po mbron Gent Sejkon me ligj të posaçëm! Nëse hetohet Banka e Shqipërisë, bien të gjithë …

Nga Redaksia – Engjëll Luka ka publikuar një video në TikTok, ku denoncon atë që e cilëson si shmangie të fakteve nga SPAK-u në lidhje me kallëzimet e tij penale kundër kryeministrit Edi Rama, Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Gent Sejko dhe personave të tjerë. Në deklaratën e tij, Lluka përmend edhe Olta Zaçajn, Altin Dumanin, prokurorë, gjyqtarë dhe drejtues të tjerë të institucioneve.

Në videon e publikuar, Lluka shfaq dokumente dhe fatura, për të cilat thotë se i ka dorëzuar pranë Prokurorisë së Posaçme në kuadër të kallëzimeve penale ndaj kryeministrit Edi Rama. Ai pretendon se provat dhe kallëzimet e tij nuk janë trajtuar siç duhet dhe se një pjesë e tyre janë dërguar jashtë kompetencës së SPAK-ut.

Në fillim të deklaratës, Luka u drejtohet edhe qytetarëve që protestojnë kundër qeverisë, duke u kërkuar që të mos mjaftohen vetëm me thirrjet “Rama, jep dorëheqjen” dhe përplasjet me policinë, por të kërkojnë llogari drejtpërdrejt nga institucionet e drejtësisë.

Ndërkohë që ju bërtisni Rama jep dorëheqjen, ai natyrisht që nuk e jep. Ndërkohë që ju ziheni me policët, të cilët nuk kanë asnjë faj për këtë çështje dhe nuk mund të bëjnë asgjë, sepse nuk janë ata që mund ta çojnë Ramën në burg. Unë i drejtohem organit kompetent, Prokurorisë së Posaçme, që zoti Edi Rama të shkojë në burg”, deklaron Luka.

Luka: Rama po nxjerr ligj të posaçëm për të mbrojtur Gent Sejkon

Pjesa kryesore e denoncimit të Llukës lidhet me nismën ligjore për mbrojtjen e Guvernatorit dhe zëvendësguvernatorëve të Bankës së Shqipërisë.

Ai pretendon se kryeministri Edi Rama ka mashtruar publikun shqiptar duke paraqitur si mbrojtje të institucionit një ligj që, sipas tij, synon në të vërtetë të mbrojë personalisht Gent Sejkon.

Më poshtë mund të lexoni:

Ky nuk bëhet për të mbrojtur institucionin e Bankës së Shqipërisë. Bëhet për të mbrojtur pikërisht Gent Sejkon, i cili është i proceduar me vendim gjyqësor të formës së prerë dhe që prej dy vjetësh e gjysmë duhet të ishte në burg. Edi Rama e di shumë mirë këtë”, shprehet Luka.

Ai tregon se i ka dërguar kryeministrit një kërkesë zyrtare me postë, por sipas tij nuk ka marrë përgjigje. Në vend të një përgjigjeje, Luka pretendon se Rama ka shkuar në Kuvend dhe së bashku me persona të tjerë ka paraqitur një projektligj që parashikon mbrojtjen e Guvernatorit dhe zëvendësguvernatorëve të Bankës së Shqipërisë.

Më poshtë mund të lexoni:

Përmendet edhe Olta Zaçaj: Europa nuk e kërkon si kusht këtë ligj

Në deklaratën e tij, Luka ndalet edhe te Olta Zaçaj, ish-kryetare e Gjykatës Kushtetuese dhe zëvendësguvernatore e Bankës së Shqipërisë.

Ai ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si është trajtuar kërkesa e tij ndaj Bankës së Shqipërisë për kthimin e shumave që pretendon se i janë marrë padrejtësisht.

Luka i referohet gjithashtu një deklarimi të Zaçajt, sipas të cilit ndryshimi ligjor nuk është një kusht i detyrueshëm i kërkuar nga Europa.

Zonja, e pyetur nëse ky ligj kërkohet vërtet si kusht nga Europa, është përgjigjur: Jo, nuk është kusht. Europa e ka, ne mund ta bëjmë, por nuk është e thënë që duhet ta bëjmë tani. Nuk na e kërkon domosdoshmërisht njeri tani”, citon Luka deklaratën e saj.

Sipas tij, ky qëndrim ngre pikëpyetje mbi arsyen dhe urgjencën e miratimit të kësaj nisme ligjore.

“Gent Sejko i ka të gjitha asetet kriminale që qarkullojnë brenda sistemit bankar”

Në vijim, Luka bën akuza edhe më të rënda, duke pretenduar se çështja e Bankës së Shqipërisë nuk kufizohet vetëm te një zyrtar apo një institucion.

Ai përmend pretendime për korrupsion, fshehje dhe vjedhje transfertash, pastrim parash dhe përfshirje të personave të ndryshëm në një mekanizëm që, sipas tij, funksionon përmes lidhjeve mes bankierëve, prokurorëve dhe gjyqtarëve.

“Domethënë Edi Rama ka konsumuar disa vepra penale, ndër të tjera ka marrë në mbrojtje autorin e veprave penale shumë të rënda. I gjithë grupazhi i prokurorëve, gjyqtarëve dhe mbi të gjitha bankierëve fillon nga ky njeri. Të gjitha asetet kriminale që qarkullojnë brenda sistemit bankar shqiptar i ka Gent Sejko”, deklaron Luka.

Ai pretendon se nëse do të niste një hetim i plotë brenda Bankës së Shqipërisë, do të dilnin në dritë përgjegjësi që, sipas tij, mund të preknin prokurorë, gjyqtarë, gazetarë, pronarë mediash, deputetë dhe qeveritarë.

Në këtë kontekst, Luka përmend edhe Edi Ramën dhe Sali Berishën, duke pretenduar se hetimi mund të çonte në zbulimin e një rrjeti shumë më të gjerë personash.

Thirrje protestuesve: Shkoni te SPAK-u dhe kërkoni llogari

Duke iu rikthyer protestave, Luka u bën thirrje qytetarëve që të mos e kufizojnë reagimin e tyre vetëm në rrugë, por të shkojnë pranë SPAK-ut dhe të kërkojnë zbatimin e ligjit.

“Vazhdoni protestën, por vazhdojeni kështu duke denoncuar në SPAK. Mos bridhni rrugëve, por shkoni atje te SPAK-u dhe, siç i themi ne në shqip, i zini për fyti ata SKAP-istët. Detyrojini gjyqtarët, prokurorët dhe të gjithë ata që janë atje përpara SPAK-ut të thonë të vërtetën dhe të veprojnë sipas ligjit”, shprehet ai.

Luka këmbëngul se, sipas tij, nuk mund të ketë standarde të ndryshme për personat e proceduar dhe se drejtësia duhet të zbatohet njësoj për të gjithë.

Ai përmend në këtë kontekst edhe rastet e Ilir Metës dhe Erion Veliajt, duke pyetur përse, sipas pretendimeve të tij, persona të tjerë janë përballur me masa më të rënda, ndërsa Gent Sejko nuk po përballet me të njëjtin trajtim.

“Personi është i proceduar, jo i kallëzuar, i proceduar. Për të njëjtat vepra penale, bile shumë herë më pak se kaq, ka shkuar në burg Ilir Meta, Erion Veliaj e sa e sa të tjerë. Ky pse nuk shkon? Sepse ky është çelësi. Po ra ky, bien të gjithë. Prandaj nuk e çojnë në burg dhe prandaj nxjerrin ligj të veçantë që ta mbrojnë”, deklaron Lluka.

Akuza ndaj Altin Dumanit: Kërkova të dorëzojë 60% të pagës

Një tjetër pjesë e rëndësishme e videos lidhet me ish-drejtuesin e SPAK-ut, Altin Dumani.

Luka thotë se ky është vendimi i tretë që ka marrë në lidhje me kallëzimet e tij ndaj kryeministrit Edi Rama. Ai kujton se kallëzimin e parë e ka bërë rreth dy vjet më parë, duke pretenduar se çështja përfshinte Ramën, kreun e ILD-së, kreun e ILDKPKI-së, kryeprokurorin e Tiranës dhe persona të tjerë.

Sipas Lukës, në vend që çështja të hetohej nga SPAK-u, ajo është dërguar në Durrës, gjë që ai e cilëson të pajustifikueshme.

“Pse? Sepse atyre të SPAK-ut u digjen duart po të prekin gjëra të tilla. Dhe çfarë bëjnë? Ca nga frika, ca nga dëshira për të fituar para, i marrin dhe i zgjasin vendimet”, pretendon Lluka.

Ai deklaron se i ka kërkuar Altin Dumanit të dorëzojë 60 për qind të pagës së tij, duke pretenduar se 60 për qind e kallëzimeve që kishte dërguar në SPAK ishin përcjellë jashtë kompetencës së këtij institucioni.

Luka shprehet se, sipas tij, kjo praktikë nuk ka të bëjë me një rast të vetëm, por është një mënyrë funksionimi që ka vazhduar edhe në çështje të tjera.

Përmenden prokurorja Efrida Bregova dhe gjyqtari Kujtim Vranici

Në vijim, Luka ndalet te kallëzimi i dytë, ku përmend dy emra të drejtësisë: prokuroren Efrida Bregova dhe gjyqtarin Kujtim Vranici.

Sipas deklaratës së tij, prokurorja Bregova ka dhënë vendim për mosfillimin e çështjes, ndërsa gjyqtari Vranici e ka pranuar këtë vendimmarrje.

Luka pretendon se pikërisht këta dy persona kanë marrë në mbrojtje edhe Denis Derrallën, të cilin e identifikon si drejtor për mbikëqyrjen në Bankën e Shqipërisë dhe si një prej personave që varen drejtpërdrejt nga Guvernatori Gent Sejko.

“Po këta të dy janë ata që marrin në mbrojtje Denis Derrallën. Denis Derralla është drejtori për mbikëqyrjen në Bankën e Shqipërisë, domethënë është një nga personat direkt vartës të Gent Sejkos. Edhe ai i proceduar. I gjithë sistemi punon për të marrë në mbrojtje njëri-tjetrin”, deklaron Luka.

Ta bëjmë këtë sistem të shpërbëhet dhe të vendoset ligji

Në përfundim të videos, Engjëll Luka përsërit thirrjen e tij për hetimin e kallëzimeve dhe shqyrtimin e dokumenteve që pretendon se ka dorëzuar pranë SPAK-ut.

Ai kërkon që prokurorët dhe gjyqtarët të mos shmangin përgjegjësitë, por të veprojnë mbi bazën e ligjit dhe provave.

Sipas tij, problemi nuk është vetëm te një person, por te një sistem që, siç pretendon ai, mbron individët brenda tij dhe pengon hetimin e çështjeve të ndjeshme.

“Ta bëjmë këtë sistem që të shpërbëhet si grup kriminal dhe të vendoset ligji. Ky është qëllimi: vendosja e ligjit dhe mbajtja fort e institucioneve brenda ligjit. Vetëm kështu mund të mbrojmë veten dhe Shqipërinë”, përfundon Engjëll Luka.

Shënim: Artikulli pasqyron deklaratat dhe pretendimet e Engjëll Llukës në videon e publikuar në TikTok. Akuzat e ngritura ndaj personave dhe institucioneve të përmendura janë deklarata të tij dhe nuk paraqiten si fakte të provuara nga redaksia.

Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

Back To Top