Rama i shpërblen me 2.500 euro “mercenarët”, ndërsa policët e ndershëm kanë frikë edhe të pinë një kafe!

Nga Redaksia – Ka një ironi të hidhur në atë që po ndodh me Policinë e Shtetit. Ata që duhet të ndihen krenarë për uniformën që veshin, sot duket se kanë frikë të flasin, të takohen apo të shprehin shqetësimet e tyre, sepse janë të varur nga paga dhe druhen se mund të mbeten pa punë.

Një punonjës i Policisë së Shtetit ka kontaktuar dike privatisht. Dhe nuk i ka kërkuar favore, kërkon që të mos publikohet emri i tij dhe nuk do të ekspozohej. Shqetësimi i tij ishte se për 50 apo 100 persona që ai i cilëson si mercenarë, po njollosin të gjithë Policinë e Shtetit.

Në komunikimin, ai shprehet qartë:

Ato mercenarët që rrahin njerëz, nuk përfaqësojnë organizatën. Ato 2500 euroshat nuk na i jep njeri neve, i marrin mercenarët.

E kuptoni ironinë?

Polici që duhet të garantojë rendin dhe të mos ketë frikë nga askush, druhet të pijë një kafe apo të takohet me dikë, sepse mund të humbasë vendin e punës. Ndërkohë, sipas pretendimit të tij, 2.500 eurot shkojnë te persona që ai i quan mercenarë.

Kështu qenka modeli i ri i respektimit të uniformës? Punonjësit e ndershëm të policisë të heshtin, të ruajnë vendin e punës dhe të mos guxojnë të flasin, ndërsa përgjegjësinë për sjelljen e disa personave ta mbajë e gjithë struktura?

Edi Rama mund të dalë në konferenca, të flasë për Policinë e Shtetit dhe të kërkojë respekt për uniformën. Por respekti nuk fitohet me fjalime. Fitohet duke mbrojtur punonjësit e ndershëm, duke mos i lënë ata të ndihen të braktisur dhe duke mos lejuar që emri i institucionit të identifikohet me dhunën.

Dhe pyetja që mbetet është e thjeshtë: Pse polici i ndershëm duhet të ketë frikë se do të humbasë rrogën, ndërsa pretendimet për pagesa ndaj personave që rrahin qytetarët kërkojnë ende përgjigje?

Në fund, uniforma nuk është pronë e një kryeministri, as e një partie dhe as e ndonjë pushtetari. Ajo u përket atyre që e mbajnë me dinjitet dhe që shërbejnë për qytetarët.

Rama mund të kërkojë besnikëri ndaj pushtetit, por policët e ndershëm meritojnë diçka tjetër: respekt, dinjitet dhe garanci se nuk do të ndëshkohen pse nuk pranojnë të heshtin.

© Copyright of PatriotikMedia.al

Back To Top